Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit, mbështetjen që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar, si dhe avancimin e një agjende ligjvënëse që merr parasysh në mënyrë të barabartë nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave.
Haxhiu e ka falënderuar Soderbergun për përkushtimin e saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka ofruar Kuvendit të Kosovës ndër vite.
Ajo ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, duke vënë në pah se institucionet e Kosovës forcohen përmes shkëmbimit të dijes, përvojës dhe partneriteteve të qëndrueshme.
“Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, ka thënë Haxhiu.
Takimi u fokusua në forcimin e kapaciteteve profesionale të Kuvendit dhe në përfshirjen e barazisë gjinore në procesin ligjvënës. /Telegrafi/