Kryeprokurori Gashi viziton tri prokurori, kërkon rritje të efikasitetit dhe llogaridhënies

Kryeprokurori Gashi viziton tri prokurori, kërkon rritje të efikasitetit dhe llogaridhënies

Written by

in

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, ka vizituar të martën Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit, vizitat janë zhvilluar në kuadër të iniciativës për të vizituar të gjitha prokuroritë e vendit, njofton Dukagjini.

Gjatë takimeve, Gashi ka prezantuar edhe veprimet e ndërmarra që nga emërimi i tij në këtë pozitë, duke vënë theksin te krijimi i mekanizmave për avancimin e cilësisë së punës dhe forcimin e integritetit të prokurorëve të shtetit.

Ai u ka ofruar mbështetje të parezervë prokurorëve të tri institucioneve në ushtrimin e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit.

Njëkohësisht, Gashi ka kërkuar rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmit, si dhe forcimin e llogaridhënies në prokuroritë përkatëse.

“Qëllimi i këtyre vizitave ka qenë dëgjimi i drejtpërdrejtë i prokurorëve të shtetit lidhur me sfidat konkrete me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme, si dhe identifikimi i problematikave dhe nevojave profesionale, me synim adresimin e tyre dhe ofrimin e zgjidhjeve përkatëse institucionale”, thuhet në njoftim.

Burimi: Dukagjini