
Fishkëllima, gumëzhima, fëshfërima apo tinguj që ngjajnë me zile, të cilët i dëgjoni edhe kur përreth nuk ka asnjë burim zëri, mund të jenë shenja të tinnitusit.
Kjo gjendje, e njohur si zhurma në veshë, zakonisht nuk lidhet me ndonjë problem serioz shëndetësor dhe në disa raste mund të largohet vetë. Megjithatë, kur zhurma vazhdon, përkeqësohet ose shoqërohet me simptoma të tjera, është e rëndësishme të kërkohet këshillë mjekësore.
Si shfaqet tinnitus?
Tinnitusi është perceptimi i tingujve që nuk vijnë nga mjedisi përreth. Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë (NHS), këta tinguj mund të jenë të ndryshëm: nga fishkëllima dhe gumëzhima deri te zhurmat e vazhdueshme, pulsimi apo edhe tinguj që ngjajnë me muzikë dhe këndim.
Zhurma mund të dëgjohet në njërin ose të dy veshët, ose të perceptohet brenda kokës. Te disa persona shfaqet vetëm herë pas here, ndërsa te të tjerë mund të jetë e vazhdueshme.
Cilat janë shkaqet e zhurmës në veshë?
Shkaku i tinnitusit nuk është gjithmonë i qartë, por ai shpesh lidhet me forma të ndryshme të humbjes së dëgjimit.
Sipas NHS-së, kjo gjendje mund të shoqërohet edhe me sëmundjen e Meniere-it, diabetin, sëmundjet e gjëndrës tiroide, sklerozën multiple, ankthin ose depresionin.
Në disa raste, zhurma në veshë mund të jetë efekt anësor i barnave të caktuara, përfshirë disa medikamente të përdorura në kimioterapi, antibiotikë, barna antiinflamatore josteroide dhe aspirinë.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Kontrolli mjekësor rekomandohet nëse zhurma në veshë shfaqet rregullisht, përkeqësohet ose ndikon në jetën e përditshme. Kjo vlen veçanërisht kur ajo pengon gjumin, vështirëson përqendrimin ose shkakton ankth dhe shqetësim emocional.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe rasteve kur zhurma dëgjohet kryesisht në njërin vesh.
Mjeku fillimisht do të kontrollojë veshët, pasi shkaku mund të jetë një problem që trajtohet lehtësisht, si infeksioni ose grumbullimi i dyllit. Nëse është e nevojshme, mund të kryhen teste të dëgjimit ose të rekomandohet konsultimi me specialistin e veshit, hundës dhe fytit (ORL).
Kur zhurma në veshë është urgjencë?
Disa simptoma kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor.
Sipas NHS-së, nëse zhurma pulson në të njëjtin ritëm me rrahjet e zemrës, duhet të kërkoni vlerësim urgjent.
Ndihma e menjëhershme në urgjencë është e nevojshme nëse tinnitus shfaqet pas një dëmtimi të kokës ose shoqërohet me humbje të papritur të dëgjimit, dobësi të muskujve të fytyrës apo marramendje të fortë. Në këto raste, nuk duhet të drejtoni vetë automjetin.
Çfarë mund të ndihmojë në lehtësimin e tinnitusit?
Edhe pse jo gjithmonë mund të eliminohet plotësisht, ka mënyra që mund ta bëjnë zhurmën më pak shqetësuese.
NHS rekomandon teknika relaksimi, si frymëmarrja e thellë dhe joga. Gjumi cilësor dhe një rutinë e rregullt para gjumit mund të ndihmojnë, ndërsa kufizimi i kafeinës mund të jetë i dobishëm për disa persona.
Gjithashtu, rekomandohet shmangia e faktorëve që mund ta përkeqësojnë gjendjen, si stresi dhe ekspozimi ndaj zhurmave të forta.
Qëndrimi në heshtje të plotë nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë. Muzika e qetë ose tingujt e lehtë në sfond mund të ndihmojnë që vëmendja të largohet nga zhurma. Edhe aktivitetet që ju mbajnë të angazhuar mendërisht dhe hobet mund të ndihmojnë në menaxhimin e saj.
Kur shkaku nuk dihet ose nuk mund të trajtohet drejtpërdrejt, mund të rekomandohen terapia konjitive e sjelljes dhe këshillimi psikologjik. Ekziston gjithashtu terapia e përshtatjes ndaj tinnitusit, e cila përdor tinguj për ta ndihmuar trurin që gradualisht t’i kushtojë më pak vëmendje zhurmës. Megjithatë, sipas NHS-së, nuk është e qartë nëse kjo terapi është e dobishme për të gjithë personat.
Nëse zhurma shoqërohet me humbje të dëgjimit, mjeku mund të rekomandojë edhe përdorimin e aparatit të dëgjimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali