Po xhirohej vazhdimisht nga një fanse, Taylor Swift detyrohet t’i kërkojë asaj të ndalojë gjatë ndeshjes së Kansas City Chiefs

Po xhirohej vazhdimisht nga një fanse, Taylor Swift detyrohet t'i kërkojë asaj të ndalojë gjatë ndeshjes së Kansas City Chiefs

Written by

in

Taylor Swift është detyruar të reagojë gjatë ndeshjes së fundit të Kansas City Chiefs, pasi një fanse e ka filmuar vazhdimisht nga afër, ndërsa këngëtarja po ndiqte nga tribuna VIP paraqitjen e bashkëshortit të saj, Travis Kelce.

Swift e ndoqi ndeshjen kundër Los Angeles Chargers në shoqërinë e vjehrrës së saj, Donna Kelce, si dhe të mikeshave Caitlin Clark dhe Este Haim.

Në një moment, një fanse u afrua pranë xhamit të tribunës VIP dhe nisi ta filmonte këngëtaren, pavarësisht se sigurimi e kishte paralajmëruar më herët që të mos e bënte këtë.

Në një video që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, Taylor shihet duke i bërë shenjë me dorë fanses që të ndalojë filmimin. Më pas, ajo tregon drejt fushës, duke i sugjeruar që ta përqendrojë vëmendjen te ndeshja.

Fansa nuk po e filmonte këngëtaren nga larg, por qëndronte menjëherë përballë xhamit të tribunës VIP, me shpinë nga fusha.

Edhe pse prania e Taylor Swift në ndeshjet e Kansas City Chiefs është bërë tashmë e zakonshme, këngëtarja vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe, veçanërisht për reagimet e saj gjatë ndeshjeve.

Pamjet e fundit nxitën diskutime në rrjetet sociale, ku shumë përdorues komentuan sjelljen e fanses dhe mbështetën reagimin e artistes.

Një numër i madh përdoruesish të rrjeteve sociale dolën në mbrojtje të Taylor Swift, duke argumentuar se këngëtarja kishte të drejtë të ndiqte ndeshjen pa u filmuar vazhdimisht nga afër.

“Ajo vetëm i kërkoi të ndalonte, sepse po përpiqej ta shikonte ndeshjen. Kjo nuk është sjellje e pasjellshme”, shkroi një përdorues.

Një tjetër vuri në dukje se edhe sigurimi kishte ndërhyrë për ta ndalur fansen. “Personi me të gjelbër po i thotë të ndalojë”, komentoi ai.

Shumë përdorues u shprehën të habitur që fansja vazhdoi ta filmonte këngëtaren edhe pasi ajo i kërkoi të ndalonte.

“Njerëzit që qëndrojnë poshtë saj dhe e shikojnë pa pushim duhet të jenë jashtëzakonisht të bezdisshëm”, shkroi një tjetër.

“Nuk e kuptoj se si dikush mund të mendojë se një sjellje e tillë është e pranueshme. Edhe pasi të kërkon të ndalosh, ti vazhdon ta filmosh derisa ndërhyn truproja dhe të kërkon të largohesh”, komentoi një përdorues tjetër.

“Si nuk u vjen turp disa njerëzve? Nuk kanë aspak ndjeshmëri për hapësirën personale të të tjerëve. U afrohen njerëzve deri në fytyrë dhe i fotografojnë. Është vërtet e sikletshme. Më vjen mirë që ajo i kërkoi të ndalonte dhe të shikonte ndeshjen”, shkroi një tjetër.

Megjithatë, disa përdorues menduan se Taylor nuk ishte e zemëruar, por se i ishte drejtuar fanses në mënyrë miqësore.

“Duket se në fund ajo buzëqeshi. Ndoshta thjesht i tha diçka si: ‘Ke paguar biletën për ta parë ndeshjen, prandaj shikoje’. Pse njerëzit mendojnë menjëherë se është e tërbuar?”, pyeti një përdorues.

“U tregua e sjellshme. Në fund të fundit, kishe ardhur për të parë ndeshjen”, u pajtua një tjetër.

Duket se ky moment i pakëndshëm nuk ia prishi humorin këngëtares. Gjatë pjesës tjetër të ndeshjes, ajo vazhdoi të brohoriste për ekipin dhe të bisedonte me vjehrrën e saj, Donna Kelce.

Për këtë rast, Taylor kishte zgjedhur një bluzë të kuqe me jakë të lartë, në ngjyrat karakteristike të Kansas City Chiefs, ndërsa pamjen e kishte kompletuar me buzëkuqin e saj të kuq, tashmë të dallueshëm.

Kohët e fundit, Taylor dhe Travis janë shfaqur më shpesh në publik, pas disa muajsh qëndrimi më larg vëmendjes mediatike pas dasmës së tyre në Madison Square Garden.

Sipas vlerësimeve të raportuara, dasma kushtoi nga 20 deri në 30 milionë dollarë, përkatësisht rreth 18 deri në 27 milionë euro. Në mesin e të ftuarve ishin edhe disa emra të njohur, përfshirë Selena Gomez, Graham Norton, Dakota Johnson, Greg James dhe Brad Pitt. /Telegrafi/