Kreshnik Hajrizi rikthehet te Sioni, Foda mund të fitojë një alternativë të rëndësishme në mbrojtje

Kreshnik Hajrizi rikthehet te Sioni, Foda mund të fitojë një alternativë të rëndësishme në mbrojtje

Written by

in

Kreshnik Hajrizi është rikthyer në aksion me skuadrën e Sionit, pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit. Qendërmbrojtësi i Kosovës luajti 45 minuta në fitoren 2-0 të ekipit zviceran ndaj Cham, në kuadër të Kupës së Zvicrës.

Mbrojtësi 27-vjeçar kishte qenë jashtë fushave që nga 17 maji, ndërsa gjatë kësaj periudhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Rikthimi i tij në ndeshje përbën një lajm të mirë si për Sionin, ashtu edhe për Kombëtaren e Kosovës.

Hajrizi ishte një nga mungesat e rëndësishme të “Dardanëve” gjatë ndeshjeve të fundit të Ligës së Kombeve. Ai ishte rikthyer në dispozicion të Kosovës për ndeshjet kualifikuese të Botërorit, ku me paraqitjet e tij kishte dëshmuar rëndësinë që ka në repartin defensiv.

Rikthimi në fushë është hapi i parë për qendërmbrojtësin, i cili tashmë synon ta rifitojë gradualisht formën e tij më të mirë. Minutat e luajtura ndaj Cham janë një sinjal pozitiv, megjithëse mbetet të shihet se si do të reagojë fizikisht në ndeshjet e ardhshme, pasi iu desh të zëvendësohej pas pjesës së parë.

Siç raporton Blick , drejtori sportiv i Sion, Barthelemy Constantin i largoi dyshimet për dëmtim. “Vetëm një goditje. Asgjë dramatike”.

Ky rikthim vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, që në muajin nëntor do të përballet me Izraelin dhe Irlandën.

Përzgjedhësi Franco Foda mund të ketë nevojë për më shumë alternativa në mbrojtje, veçanërisht nëse mungesat e Lumbardh Dellovës dhe Albian Hajdarit vazhdojnë.

Kreshnik Hajrizi, mbrojtës i Kosovës telegrafi.com

Nëse vazhdon rikuperimin pa probleme dhe arrin ta rikthejë ritmin e garave, Hajrizi mund të jetë një alternativë e rëndësishme për “Dardanët” në sfidat e ardhshme.

Megjithatë, gatishmëria e tij për ndeshjet e nëntorit do të varet nga gjendja fizike dhe minutat që do të marrë me Sionin. /Telegrafi/