Berisha thirrje qytetarëve t’u bashkohen studentëve në protestë: Është radha juaj

Berisha thirrje qytetarëve t’u bashkohen studentëve në protestë: Është radha juaj

Written by

in

Berisha thirrje qytetarëve t’u bashkohen studentëve në protestë: Është radha juaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të dalin në mbështetje të studentëve dhe të rinjve që po protestojnë prej ditësh në Tiranë.

Në një videomesazh të publikuar sot, Berisha akuzoi qeverinë për përdorim të tepruar të dhunës ndaj protestuesve dhe ftoi qytetarët që nesër, në orën 10:00, të mblidhen para universitetit për t’iu bashkuar protestës.

Sipas tij, gjatë një jave protestash, mbi dy mijë të rinj, përfshirë gjimnazistë, studentë dhe të mitur, janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar.

Berisha e cilësoi situatën si rikthim të “terrorit të kuq”, duke pretenduar se forcat e rendit kanë përdorur në mënyrë disproporcionale shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Ai tha se pasojat kanë prekur jo vetëm protestuesit, por edhe gazetarët dhe banorët e zonave përreth.

“Prej një jave, mbi 2 mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur, studentë, janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar dhe kanë mbushur paraburgimet e vendit nga burgu famëzi i Burrelit gjer në burgun e Beratit. Prej një jave, kemi parë disproporcion të madh ndaj reagimeve në vetëmbrojtje të studentëve kundër shkopinjve të gomës që thyejnë kockat e tyre të njoma, gazit helmues që është ngritur si një re e zezë mbi qiellin e Tiranës dhe çdo ditë po mbyt jo vetëm studentët dhe gjimnazistët, por dhe shtëpitë dhe banorët e tyre në Tiranë. Plumbave të gomës që lëshohen në breshëri, me pamëshirë, në shkelje të plotë të ligjit, ndaj studentëve, gazetarëve, por edhe qytetarëve, dhe që në fakt kanë çarë kafkat e tyre. Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit. Por, protesta e sotme e mijëra e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve në mbështetje të studentëve të tyre, përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës”, theksoi Berisha.

Ai vlerësoi gjithashtu protestën e pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve, duke pretenduar se ajo ka dështuar strategjinë e qeverisë për të frikësuar të rinjtë.

“Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri. Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj”, deklaroi Berisha.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali