
Sergen Yalçin është emëruar selektor i Përfaqësueses së Turqisë, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare me Federatën Turke të Futbollit.
Emërimi i 53-vjeçarit është bërë i ditur të martën nga federata, ndërsa Yalçin do ta zëvendësojë Vincenzo Montellan, i cili u shkarkua pas rezultateve negative.
Yalçin vjen në krye të Kombëtares turke pas përvojës së fundit si trajner i Beshiktashit. Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar edhe disa skuadra të tjera në futbollin turk, përfshirë Antalyasporin, Konyasporin, Alanyasporin, Sivassporin dhe Kayserisporin.
Përmes një njoftimi, Federata Turke e Futbollit ka vlerësuar përvojën e trajnerit dhe ka shprehur pritshmëritë për suksesin e tij në detyrën e re.
“Sergen Yalçin po hap një kapitull të ri në karrierën e tij, duke vënë përvojën e fituar në nivel klubesh në shërbim të Kombëtares së Turqisë. Nga ky moment ai do të punojë për suksesin e Turqisë. Federata Turke e Futbollit i uron Yalçinit suksese në detyrën e re dhe shpreson që ky vendim të jetë në të mirë të vendit dhe të Kombëtares A të Turqisë”, thuhet në njoftimin e federatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali