Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka nxjerrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit, me qëllim të respektimit të kompetencave dhe pavarësisë funksionale të prokurorëve në inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, me këtë ndryshim, prokurorët specialë do të mund të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndës, për të nisur hetimet sipas detyrës zyrtare, pa pasur nevojë për autorizim paraprak nga kryeprokurori.
Ndryshimi synon lehtësimin e procedurave administrative për regjistrimin e lëndëve dhe nxitjen e prokurorëve për të iniciuar hetime për vepra penale, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në hetimin e të gjitha veprave penale që bien në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Burimi: Dukagjini
