Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për dhunë ndaj studentëve dhe të rinjve që po protestojnë në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në protestë.
Në një videomesazh, Berisha pretendoi se gjatë javës së fundit më shumë se 2 mijë të rinj, përfshirë gjimnazistë, të mitur dhe studentë, janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar.
Ai akuzoi policinë për përdorim joproporcional të forcës, duke përmendur shkopinjtë e gomës, gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës, ndërsa i cilësoi veprimet e autoriteteve si pjesë të asaj që e quajti “terror i kuq”.
Berisha pretendoi gjithashtu se qeveria po përpiqet të shtypë protestat për të ruajtur pushtetin dhe akuzoi Ramën për keqpërdorim të fondeve publike, arrogancë dhe bllokim të rotacionit politik.
Duke iu referuar protestës së pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve, kreu i PD-së tha se mobilizimi i tyre ka dëshmuar se të rinjtë nuk janë tërhequr përballë presionit.
“Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri. Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj”, deklaroi Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të dalin në shesh dhe t’i bashkohen protestës, duke kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Ndaj dhe dil sot, në mbështetje të atyre të rinjve, që Edi Rama u ka vjedhur gjithçka, por ende nuk e kanë braktisur dhe duan të bëjnë Shqipërinë sipas projektit të ëndrrave të tyre rinore”, tha Berisha.
Në fund të videomesazhit, ai ftoi qytetarët të mblidhen të nesërmen, në orën 10:00, para universitetit, në mbështetje të studentëve./Telegrafi.