
Në prag të kalimit të afatit hetimor, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Habibe Salihu kishte ftuar Rexhajn për të arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.
Përmes kësaj marrëveshje, prokurorja speciale Salihu i rekomandonte gjykatës dënim me burgim prej 18 muaj ndaj Rexhajt, aq sa kishte qëndruar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, si dhe gjobë prej 10 mijë euro.
Ky rekomandim gjenë mbështetje në nenin 230 paragrafi 1 dhe nën paragrafi 1.1 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parasheh ulje të dënimit për të akuzuarin që arrinë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë për veprën penale që akuzohet nga Prokuroria e Shtetit.
Mirëpo, përtej asaj që parasheh Kodi i Procedurës Penale, prokurorja speciale kishte futur në marrëveshje kushtëzimin e kthimit të pronave tek viktimat, të cilat ishin përfituar përmes kryerjes së veprës penale.
Marrëveshja parashihte që viktima M.I në afat prej 1 viti nga plotfuqishmëria e aktgjykimit t’ía kthente 130 mijë euro fajdexhisë, ndërsa ky i fundit në afat prej 15 ditësh nga pranimi i parave në llogaria, t’ia kthente pronat viktimave, ani se të njëjtat i kishte përfituar përmes kryerjes së veprës penale “Fajdeja”.
Tutja, brenda afatit një vjeçar, Rexhaj obligohej që t’ia mundësonte viktimave edhe shitjen e ndonjërës prej pronave me qëllimin që të njëjtit të arrinin të siguronin shumën prej 130 mijë euro.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali