Pesë ditë para zgjedhjeve në Serbi – Vuçiq thotë se është duke humbur

Pesë ditë para zgjedhjeve në Serbi - Vuçiq thotë se është duke humbur

Written by

in

Lista e Studentëve në Serbi prin ndaj listës “Serbia e Bashkuar” të presidentit Aleksandar Vuçiq, sipas një sondazhi të publikuar nga portali hulumtues “Nova srpska politička misao” (NSPM), i drejtuar nga Gjorgje Vukadinoviq.

Sipas hulumtimit, zgjedhjet që do të mbahen të dielën (25 tetor), 44,5 për qind e të anketuarve do të votonin për Listën e Studentëve, me sloganin “Studentët Fitojnë”, ndërsa 42,7 për qind do të mbështesnin listën e Vuçiqit, “Serbia e Bashkuar”.

Listat e tjera do të mbeteshin nën pragun zgjedhor prej tre për qind. Partia Socialiste e Serbisë, e udhëhequr nga Ivica Daçiq, do të merrte 2,9 për qind të votave, ndërsa lista “Serbia Evropiane”, e përfaqësuar nga Marinika Tepiq dhe Zdravko Ponosh, do të siguronte 2,7 për qind.

Ndërkohë, 2,5 për qind e të anketuarve do të votonin për listën “E Djathta Autentike”, të Milosh Jovanoviqit.

Sondazhi tregon gjithashtu se 44 për qind e qytetarëve të anketuar konsiderojnë se fitorja e studentëve dhe opozitës do të ishte më e mira për Serbinë, shkruan danas.rs.

Në anën tjetër, 22,5 për qind dëshirojnë që pushteti aktual të mbetet në krye të vendit, ndërsa 19 për qind mbështesin vazhdimin e qeverisjes aktuale me disa ndryshime.

Ndërkohë, Vuçiq ka pranuar se diferenca mes listës së tij zgjedhore dhe kundërshtarëve politikë është 1.5 për qind, shkruan nova.rs.

Në një intervistë për televizionin Informer, Vuçiq tha se mbështetja për listën e tij, “Serbia e Bashkuar”, është rritur në sondazhet e opinionit publik, ndërsa theksoi se përqendrimi kryesor duhet të jetë te dita e zgjedhjeve.

Ai deklaroi se do t’i përgëzonte fituesit nëse lista e tij humb zgjedhjet, duke shtuar se këtë do ta bënte rreth orës 22:00 ose 22:30.

Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026, 79,8 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se me siguri do të votojnë, ndërsa 13,3 për qind thanë se me gjasë do të marrin pjesë në zgjedhje. /Telegrafi/