
Në anën tjetër, hetim të mirëfilltë Salihu nuk kishte zhvilluar as ndaj avokatit, noterit, përmbaruesit privat dhe vlerësuesit të licencuar të pronave.
Më 6 nëntor 2024 PSRK kishte pushuar hetimet ndaj tyre duke theksuar se nuk ishin siguruar prova të mjaftueshme që vërtetonin dyshimin e bazuar se të pandehurit kishin kryer veprat penale.
Mirëpo, pas ankesës së avokatit Fejza, Prokuroria e Apelit kishte aprovuar ankesën e tij dhe kishte anuluar aktvendimin e PSRK-së për pushimin e hetimeve, duke e kthyer lëndën në rivendosje.
Burime të emisioni hulumtues “Dosja” kanë treguar se Apeli kishte udhëzuar PSRK-në për ndërmarrjen e veprimeve hetimore shtesë, pasi sipas Apelit nuk ishin dhënë arsye konkrete bindëse në raport me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë.
Përkundër udhëzimeve, prokurorja Salihu nuk i kishte përfituar ato.
Më 28 janar 2025, ajo i kishte mbyllur sërish hetimet, kësaj radhe me arsyetimin se tashmë kishte përfunduar afati hetimor.
Aktvendimi i dyte i Apelit gjene se e njëjta nuk ka vepruar në përputhje me udhëzimet e Apelit, por vetëm ka bërë rivlerësimin e veprimeve hetimore.
Tutje, Apeli i kishte rikujtuar PSRK-së se sipas Kodit të Procedurës Penale, prokurorja do duhej të përkujdesej për afatin hetimor, në mënyrë që të shtjerreshin të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ruajtjes së afatit.
Apeli kishte kritikuar prokuroren se përkundër se thirrej në përfundim të afatit hetimor, në shkresa të lëndësh nuk gjendej shënim zyrtar, siç edhe e parasheh Kodi i Procedurës Penale, përkatësisht neni 154 lidhur me “Shqyrtimin e detyrueshëm të lëndës” i cili thotë ‘’Çdo tre (3) muaj, prokurori i shtetit dhe kryeprokurori i zyrës së tij shqyrtojnë lëndën dhe konstatojnë nëse hetimi duhet të mbetet i hapur, të pezullohet, të pushohet apo të ngritët aktakuza. Për këtë duhet të bëhet shënim zyrtar.
Kësisoj, Apeli i kishte rekomanduar PSRK-së që të rivlerësonte mundësinë e zgjatjes së afatit hetimor.
Në përgjigjen e prokurores Salihu, thuhet se të gjitha shënimet dhe veprimet që lidhen me këtë çështje janë të evidentuara në dosjen e lëndës.
Përkundër se gjykimi u bo, viktimat si përfundim mbetën edhe më të dëmtuara sesa kur hyrën.
Mirëpo, përtej dëmeve materiale, viktima tregon për pasojat psiqike me të cilat jeton bashkëshorti dhe familja.
“Viktima V.I: Trauma e tonat i ka pas, edhe vazhdon me i pas.
Gazetarja: A është me terapi hala?
Viktima V.I: Po.
Gazetarja: Përveç bashkëshortit kush është tjetër me trapi?
Viktima V.I: Edhe unë edhe çika e madhe edhe qishtu. Edhe fëmija e vogël në atë kohë që jon kanë edhe hala kanë trauma. Si të shohin që u ndal dikush, dikush oshtë dikush oshtë, tonë kohën jon në stres. Se kamerat i kemi tash në telefon, krejt kohën e përcjellin babin, mamë dikush oshtë te babi, krejt kohën krejt kohën jena në presion”.
Burime të emisionit “Dosja” në Gjykatën Themelore të Pejës, tregojnë se ndaj viktimave është ushtruar padi për mos pagimin e qeras.
Krejt kjo pavarësisht se pronat ishin përfituar me kryerjen e veprës penale, dhe se në mes tyre nuk ka marrëdhënie kontraktuale mbi pagesën e qeras.
Këtë e ka konfirmuar edhe Rexhaj.
“Unë ju kom drejtu gjykatë, e kom të regjistrume landën që unë kom kërku që ata me ma pagu qeran prej asaj kohe që jon tu nej aty”.
Përkundër se viktimat pranuan të hynin në marrëveshjen që ish kryetari i Gjykatës Supreme e konsideron të paprecedent, me qëllimin e vetëm për të ju shmangur procedurës civile, sot sërish përfunduan aty.
Ata jetojnë dhe veprojnë në pronat të cilat vazhdojnë të mos jenë më në emër të tyre.
Derisa, i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë me qëllimin për ta realizuar të drejtën e tyre mbi pronësinë.
Tash mbetet në dorën e kësaj gjykate për të vendosur fatin e fundit të tyre.
Në anën tjetër, i mbetet Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe atij Prokurorial, për tí trajtuar përgjegjësit eventuale disiplinore apo penale të gjyqtarit Vesel Ismajli, prokurores Habibe Salihu dhe ish kryeprokurorit Blerim Isufaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali