
Mikel Arteta ka deklaruar se Arsenali ende nuk e ka arritur nivelin më të lartë të suksesit, teksa skuadra londineze po përgatitet për përballjen me Bayern Munichun në Ligën e Kampionëve.
Sezonin e kaluar, Arsenali i dha fund pritjes së gjatë për titullin e Ligës Premier. Pas tri sezoneve radhazi në vendin e dytë, londinezët u shpallën kampionë për herë të parë që nga sezoni 2003/04.
Për një pjesë të madhe të sezonit 2025/26, skuadra e drejtuar nga Arteta ishte në garë për të fituar katër trofe. Megjithatë, Arsenali humbi finalen e Kupës së Ligës ndaj Manchester Cityt dhe u eliminua në mënyrë befasuese nga Southampton në çerekfinale të Kupës FA.
Londinezët arritën gjithashtu në finalen e Ligës së Kampionëve, ku synonin të fitonin për herë të parë në histori trofeun e këtij kompeticioni. Megjithatë, ata u mposhtën nga Paris Saint-Germaini me rezultat 4-3 pas penalltive, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultat 1-1.
Këtë sezon, Arsenali synon sërish të fitojë trofe dhe e ka nisur mbarë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, duke triumfuar në të dyja ndeshjet e para.
Arteta është i entuziazmuar për të vazhduar përparimin e skuadrës dhe për të parë se deri ku mund të arrijë ajo.
“Besoj se kemi arritur në një mal me fitimin e Ligës Premier, por jo në majën më të lartë, apo në atë që unë e imagjinoj”, ka deklaruar Arteta në emisionin “Inside the Game” të HBO Max.
“Ne kemi arritur një objektiv që ishte pjesë e një kapitulli, por tani duhet të kalojmë te kapitulli i radhës”.
“Flasim për mundësinë që të fitojmë sërish dhe, mbi të gjitha, se si do t’i qasemi kësaj sfide nga ana e mentalitetit. Kjo rrugë është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe jam shumë i entuziazmuar për të”.
“Qëndrueshmëria është ndoshta gjëja më e vështirë për t’u arritur. Duhet t’i ruajmë të gjithë faktorët që na kanë ndihmuar ta arrijmë objektivin, por njëkohësisht të vazhdojmë t’i frymëzojmë dhe t’i udhëheqim lojtarët drejt një niveli tjetër, duke ruajtur të njëjtin ambicie”, ka përfunduar trajneri spanjoll.
Arsenali ka fituar 14 ndeshjet e fundit radhazi në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve. Që nga rikthimi në këtë garë në vitin 2023, vetëm Paris Saint-Germaini dhe Real Madridi, me nga 28 fitore secili, kanë regjistruar më shumë triumfe në përgjithësi sesa londinezët. Arsenali ka 27 fitore, po aq sa Bayern Munichu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali