
Një ndalesë për kundërvajtje në komunikacion është shndërruar në incident me kërcënime ndaj dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës në autostradën “Ibrahim Rugova”, në rajonin e Prizrenit. Dy policët, të cilët ndodheshin me rroba civile, dyshohet se janë kanosur verbalisht nga një shofer, i cili më pas është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 20 tetor 2026, rreth orës 10:00, kur dy zyrtarë policorë kanë ndaluar një drejtues automjeti për shkak të një kundërvajtjeje në trafik.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, personi i dyshuar është Zenë Zahiti, rreth 47-vjeçar.
Meqenëse ishin të veshur me rroba civile, dy zyrtarët i janë prezantuar të dyshuarit si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Megjithatë, sipas raportimit të tyre, Zahiti ka refuzuar t’u bindet kërkesave të policëve, ka shfaqur sjellje arrogante dhe dyshohet se i ka kërcënuar verbalisht, pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion.
Situata ka kërkuar ndërhyrjen e një patrulle policore, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar palët në stacion policor.
Dy zyrtarët policorë kanë përpiluar raportet për incidentin, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi policor deri në 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali