Bashkimi Evropian ka deklaruar se përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, është e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por për këtë nevojitet vullnet nga të dyja palët.
Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i BE-së në Kombet e Bashkuara, Stavros Lamperinos, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga kushtet thelbësore për përparimin e të dyja vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lamperinos ka riafirmuar përkushtimin e BE-së ndaj perspektivës evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit, si dhe të marrëveshjeve të mëparshme të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
“Përfaqësuesja e Lartë mbetet e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë, por nevojitet vullnet nga të dyja palët. I inkurajojmë palët që ta marrin përsipër këtë përpjekje drejt normalizimit, të angazhohen në mirëbesim dhe ta mundësojnë një takim të tillë”, ka deklaruar ai.
Përfaqësuesi i BE-së ka shprehur gjithashtu shqetësim për situatën në veri të Kosovës dhe zhvillimet e muajve të verës, përfshirë rrënimet.
Ai ka përshëndetur edhe marrëveshjen e 14 marsit me Kosovën lidhur me Ligjin për të Huajt.
Në fjalën e tij, Lamperinos u ka bërë thirrje palëve që të krijojnë kushtet për funksionimin e një gjyqësori shumetnik në Kosovë, përfshirë kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë.
Ai ka kërkuar gjithashtu vazhdimin e përpjekjeve për uljen e tensioneve dhe përparimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit./Telegrafi.