Rafuna: Nëse taksat për naftën nuk ulen për të gjithë, të lehtësohen së paku dy sektorë

Rafuna: Nëse taksat për naftën nuk ulen për të gjithë, të lehtësohen së paku dy sektorë

Written by

in

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar uljen e akcizës ose të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për derivatet e naftës, për të lehtësuar kostot e qytetarëve dhe bizneseve.

Duke folur në “Përballje Podcast” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Rafuna tha se Oda ia kishte adresuar këtë kërkesë Qeverisë gjatë pranverës, pas rritjes së çmimeve të derivateve.

“Kemi kërkuar që të ulet akciza apo edhe tatimi mbi vlerën e shtuar, për shkak se TVSH-ja është tatim i konsumatorit”, deklaroi ai, shkruan Telegrafi.

Sipas Rafunës, një ndërhyrje e tillë do të ndikonte në uljen e çmimit të derivateve. Ai theksoi se, nëse lehtësimi nuk mund të zbatohet për të gjithë qytetarët, Qeveria duhet të përqendrohet së paku në sektorë të caktuar të ekonomisë.

“Nëse Qeveria nuk e vlerëson se është e mundur të bëhet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, së paku të përqendrohet në disa sektorë, për shembull në sektorin e bujqësisë”, u shpreh ai.

– YouTube www.youtube.com

Rafuna nënvizoi se mbështetja për bujqësinë duhet të ofrohet në kohën e duhur, pasi punimi i tokës dhe mbjelljet lidhen me afate sezonale.

“Bujqësia e ka kohën e caktuar kur punohet toka”, tha ai.

Krahas bujqësisë, Rafuna veçoi edhe transportin e mallrave si sektor ku nevojiten lehtësime fiskale. Sipas tij, ulja e TVSH-së ose e akcizës për karburantet e përdorura në transport do të ulte kostot që reflektohen në çmimin përfundimtar të produkteve. /Telegrafi/