LEX | Vrasje, tortura e dëbim të civilëve shqiptarë – sot aktgjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit

LEX | Vrasje, tortura e dëbim të civilëve shqiptarë – sot aktgjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit

Written by

in

LEX | Vrasje, tortura e dëbim të civilëve shqiptarë – sot aktgjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot aktgjykimin ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth.

Shpallja e aktgjykimit është planifikuar për orën 13:30, në Departamentin Special.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Gjokoviq ngarkohet se gjatë viteve 1998–1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, bastisje, rrahje, arrestime, tortura dhe trajtim çnjerëzor të civilëve shqiptarë. Aktakuza e ngarkon edhe për mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të popullsisë civile.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet një ofensivë ushtarako-policore gjatë majit të vitit 1999, kur forcat serbe dyshohet se rrethuan dhe sulmuan Ozdrimin nga tri drejtime.

Sipas aktakuzës, gjashtë civilë shqiptarë u vranë gjatë sulmit, ndërsa tre të plagosur u dërguan fillimisht në Spitalin e Pejës, më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në Lutogllavë. Pesë civilë të tjerë, të cilët sipas aktakuzës u vranë gjatë ofensivës, figurojnë të zhdukur, pasi trupat e tyre nuk janë gjetur.

Prokuroria pretendon se gjatë të njëjtit aksion u arrestuan rreth 40 persona, të cilët u mbajtën për tri ditë në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit”, pranë nënstacionit policor në Ozdrim. Ata dyshohet se u lanë pa ushqim e ujë dhe u torturuan fizikisht.

Pas tri ditësh, 12 persona u liruan, ndërsa 28 të tjerë u transferuan në Pejë e më pas në burgun e Leskovcit në Serbi, ku, sipas aktakuzës, vazhduan keqtrajtimet.

Gjokoviq nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që i ngarkohen.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali