Serbia thellon bashkëpunimin me Iranin në inteligjencën artificiale, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së

Serbia thellon bashkëpunimin me Iranin në inteligjencën artificiale, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së

Written by

in

Serbia po thellon bashkëpunimin me Iranin në fushën e inteligjencës artificiale (IA) dhe teknologjive të informacionit, në një kohë kur në Senatin amerikan po diskutohet një nismë për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve serbë, ndër të tjera, për bashkëpunimin me Teheranin, Rusinë dhe Kinën.

Sipas një raportimi të Radios Evropa e Lirë (REL), Serbia dhe Irani nënshkruan në shkurt të vitit 2025 një memorandum bashkëpunimi në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit. Që atëherë, të dyja palët kanë ndërmarrë hapa për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjerimin e bashkëpunimit.

Memorandumi përfshin fusha si inteligjenca artificiale, siguria e informacionit, tregtia elektronike dhe qeverisja elektronike. Pala iraniane ka shprehur interes edhe për bashkëpunimin në teknologjinë 5G, infrastrukturën digjitale, sigurinë kibernetike, qendrat e të dhënave dhe zhvillimin e laboratorëve të përbashkët kërkimorë.

Në fillim të korrikut 2026, ministri serb i Informacionit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, u takua në Teheran me homologun iranian, Seyed Sattar Hashemi. Gjatë takimit, ata ranë dakord për formimin e një komiteti të përbashkët për zbatimin e memorandumit.

Hashemi deklaroi se Irani është i gatshëm të ndajë me Serbinë përvojën në prodhimin e pajisjeve harduerike, zhvillimin e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës cloud, si dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta në inteligjencën artificiale.

Një nga objektivat e përmendura nga pala iraniane ishte edhe krijimi i një korridori për transmetimin e të dhënave ndërmjet Iranit dhe rajonit të Ballkanit.

Megjithatë, Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me përparimin konkret të bashkëpunimit dhe projektet që mund të realizohen në kuadër të marrëveshjes.

Eksperti i inteligjencës artificiale, Aleksandar Linc Gjorgjeviq, e ka cilësuar bashkëpunimin serbo-iranian si një “akrobaci diplomatike”, duke vënë në pikëpyetje përfitimet konkrete teknologjike që Serbia mund të ketë nga kjo marrëdhënie.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi po zhvillohet në një kontekst të ndërlikuar, pasi Shtetet e Bashkuara kanë konflikt të hapur me Iranin, ndërsa në Serbi operojnë kompani të mëdha amerikane të teknologjisë.

“Nuk e di se çfarë mund t’i ofrojë Irani Serbisë në aspektin teknologjik përmes këtij bashkëpunimi”, ka thënë Gjorgjeviq për REL-in.

Sipas të dhënave të Dhomës Amerikane të Tregtisë, në sektorin e inteligjencës artificiale në Serbi janë të pranishme kompani amerikane si IBM, Microsoft dhe Oracle.

Në mars të vitit 2026, Zyra për Teknologjinë e Informacionit dhe Qeverisjen Elektronike e Qeverisë së Serbisë nënshkroi gjithashtu një memorandum bashkëpunimi me përfaqësues të kompanisë IBM në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale.

Gjorgjeviq ka paralajmëruar se përfshirja e Iranit në sistemet e informacionit dhe komunikimit të Serbisë mund të shihet si rrezik nga kompanitë amerikane dhe të shkaktojë reagime nga Uashingtoni, nëse marrëveshjet zbatohen në praktikë.

Serbia përballet me presion nga SHBA-ja dhe BE-ja

Bashkëpunimi me Iranin po zhvillohet ndërkohë që në Senatin amerikan është paraqitur një nismë dypartiake për miratimin e një ligji për Serbinë, e cila propozon edhe sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj zyrtarëve serbë.

Në tekstin e paraqitur nga senatori republikan Chuck Grassley dhe senatori demokrat Richard Blumenthal, thuhet se Serbia dhe Irani kanë thelluar lidhjet teknologjike dhe politike, pavarësisht sanksioneve të gjera që SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë vendosur Teheranit.

Në anën tjetër, Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe, në fillim të tetorit, iu bashkua një partneriteti të udhëhequr nga SHBA-ja për mundësitë në fushën e inteligjencës artificiale, duke nënshkruar deklaratën përkatëse në Kombet e Bashkuara.

Sipas REL-it, Beogradi ka lidhur marrëveshje në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, telekomunikacionit, sigurisë së informacionit ose inteligjencës artificiale edhe me rreth dhjetë vende të tjera, përfshirë Kinën, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin, Egjiptin, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Bashkëpunimi me Kinën është intensifikuar që nga viti 2019. Gjatë vitit 2026, të dyja vendet nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në inteligjencën artificiale dhe një marrëveshje për themelimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunim në këtë fushë.

Këto zhvillime kanë nxitur kritika nga SHBA-ja dhe Komisioni Evropian. Brukseli i ka rikujtuar Serbisë zotimin për harmonizimin e legjislacionit të saj me rregulloret evropiane, përfshirë Aktin e BE-së për inteligjencën artificiale.

Irani synon zhvillimin e kapaciteteve vendore në IA

Për shkak të izolimit ndërkombëtar dhe qasjes së kufizuar në teknologjinë perëndimore, Irani është përpjekur të zhvillojë kapacitetet e veta në fushën e inteligjencës artificiale.

Sipas një analize të kompanisë amerikane të sigurisë kibernetike Recorded Future, Teherani po synon të ndërtojë një ekosistem vendor të inteligjencës artificiale dhe të forcojë kapacitetet kërkimore, megjithëse izolimi ekonomik ia kufizon qasjen në teknologji dhe kapital njerëzor.

Irani ka hartuar një udhërrëfyes kombëtar për inteligjencën artificiale, me objektiva që përfshijnë investime prej tetë miliardë dollarësh, zbatimin e kësaj teknologjie në 45 për qind të sektorëve industrialë dhe rritjen e kontributit të saj në 12 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2032.

Ndërkaq, Serbia ka një strategji për zhvillimin e inteligjencës artificiale për periudhën 2025–2030, si dhe udhëzime etike për zhvillimin dhe përdorimin e saj, por ende nuk ka një ligj të posaçëm që rregullon këtë fushë.

Sipas ekspertit Gjorgjeviq, Serbia ka kapacitete të mira teknologjike, veçanërisht sa u përket kompetencave të inxhinierëve, si dhe një platformë kombëtare për inteligjencën artificiale, e cila nisi punën në fund të vitit 2021 në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në Kragujevc.

 

Burimi: Dukagjini