Ekskluzive | Tre viktima në tri qytete – arrestohet Shqipdon Pllana, i kërkuar për shpërdorim pasurie dhe keqpërdorim të besimit, pranon njërin rast

Written by

in

Tri denoncime, tri lokacione të ndryshme dhe një emër i përbashkët në dosjet policore. Pas disa javësh kërkimesh, Policia ka arritur ta arrestojë Shqipdon Pllanën, i cili dyshohet se është përfshirë në tri raste të shpërdorimit të pasurisë së huaj dhe keqpërdorimit të besimit në Prishtinë, Podujevë dhe Fushë Kosovë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Shqipdon Pllanën rreth 26-vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim policor lidhur me rastet e denoncuara gjatë muajve gusht dhe shtator të këtij viti.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, denoncimet janë bërë nga F.B. rreth 54-vjeç, B.D. rreth 40-vjeç dhe A.D. rreth 33 vjeç, të cilët figurojnë si të dëmtuar në tri rastet që po hetohen.

Rasti i parë është raportuar më 27 gusht 2026, në fshatin Leban të Prishtinës, i dyti më 5 shtator, në rrugën “Gryka e Llapit” në Podujevë, ndërsa i treti më 20 shtator, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.

Në këto raste janë iniciuar hetime për veprat penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj” dhe “Keqpërdorim i besimit”.

Pas denoncimeve, Policia kishte ndërmarrë veprime për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, i cili kërkohej lidhur me të tria çështjet.

Më 20 tetor, pas veprimeve hetimore dhe kërkimeve për lokalizimin e tij, Shqipdon Pllana është ndaluar nga Policia.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar avokate mbrojtëse sipas detyrës zyrtare, në praninë e së cilës është zhvilluar intervistimi.

Pikërisht gjatë intervistimit ka ardhur edhe zhvillimi i rëndësishëm në këtë rast.

Sipas burimeve të Sinjalit, Pllana ka pranuar veprën për njërin prej rasteve, të evidentuara për hetim, ndërsa për dy rastet e tjera nuk ka dhënë përgjigje.

Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë, ndaj Shqipdon Pllanës është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë mbi pasurinë që dyshohet se është shpërdoruar, vlerën e dëmit të pretenduar dhe mënyrën se si janë zhvilluar rastet.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të të tria rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale penale të të dyshuarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali