
Fabiana Anais Cobos Vega është sjellë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departament Special ku po gjykohet nën akuzën për krim të organizuar në lidhje me trafikimin me njerëz.
Prokuroria Speciale e ngarkon atë me rol drejtues në një grup që dyshohet se rekrutonte vajza nga Amerika Latine dhe i sillte në Kosovë për shfrytëzim seksual.
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 gusht 2025, Vega dhe i bashkakuzuari Batuhan Beyoglu, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë organizuar rekrutimin, transportimin dhe strehimin e të dëmtuarave. Prokuroria pretendon se Vega udhëhiqte dhe mbikëqyrte veprimtarinë e grupit.
Vajzat, sipas dosjes së Prokurorisë, mbërrinin në Aeroportin e Tiranës dhe më pas udhëtonin drejt Prishtinës, ku vendoseshin në banesa. Aty dyshohet se shfrytëzoheshin për prostitucion, ndërsa kontaktet me klientët organizoheshin përmes aplikacioneve të komunikimit.
Organizatorët e rrjetit dyshohet se merrnin mbi 50 për qind të të ardhurave nga shërbimet seksuale. Dy të dëmtuara kanë deklaruar para organeve hetimore se ishin përballur edhe me dhunë fizike pasi nuk kishin respektuar rregullat e grupit.
Në hetimin e ndërlidhur përmendet edhe Geri Hoxha, djali i gazetarit nga Shqipëria, Artan Hoxha. Mbrojtja e tij i ka kundërshtuar dyshimet, duke deklaruar se Prokuroria nuk ka paraqitur prova konkrete që e lidhin drejtpërdrejt me veprimtarinë e dyshuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali