Lëvizja protestuese e brezit Z mund të jetë pranë rrëzimit të njeriut të fortë të Serbisë

Lëvizja protestuese e brezit Z mund të jetë pranë rrëzimit të njeriut të fortë të Serbisë

Written by

in

Burimi: The Guardian (titulli: A gen Z protest movement could be about to oust Serbia’s strongman. Here’s why that will shake Europe)
Përkthimi: Telegrafi.com

Historia mund të mos jetë duke u përsëritur në Serbi, por ka nisur të krijojë rimë. Pak më shumë se një çerek shekulli më parë, qytetarët serbë dolën në numër të madh për të votuar dhe për t’i shkaktuar humbje historike njeriut të fortë të atëhershëm në Beograd, Slobodan Milosheviqit, i cili kërkonte të rizgjidhej president. Ai humbi pavarësisht kontrollit të tij të gjerë mbi mediat, gjyqësorin dhe forcat e sigurisë. Kur ngurroi të largohej nga detyra, qindra mijëra serbë dolën në rrugë duke e detyruar më në fund të largohej.

Të dielën, një brez i ri mund të ketë zërin vendimtar në zgjedhje po aq përcaktuese – këtë herë për parlamentin kombëtar. Njeriu i fortë i sotëm, Aleksandar Vuçiq, dha së fundmi dorëheqjen si president për të garuar në zgjedhje, me synimin për ta zhvendosur qendrën e pushtetit nga presidenca te posti i kryeministrit.

Por, Vuçiqi, i cili ka pasur kontroll pothuajse të plotë mbi Serbinë për 14 vjet, e sheh veten për herë të parë në pozitë të pafavorshme qëkur mori pushtetin – ashtu si Milosheviqi në vitin 2000. Ashtu si miku i tij i ngushtë, Viktor Orbán, i cili u mposht bindshëm në zgjedhjet e fillimit të këtij viti, Vuçiqi është ndier i detyruar të bëjë gjithçka për ta ndalur koalicionin zgjedhor të opozitës të njohur si Lista Studentore (SL).

Ndryshe nga partia Fidesz e Orbánit, Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit nuk ka gjasa të poshtërohet në votimin e së dielës. Sondazhet e opinionit ndryshojnë shumë – disa i japin SL-së një epërsi prej pothuajse 10 pikësh përqindjeje, të tjerat sugjerojnë se gara është kokë më kokë. Anketuesit sugjerojnë gjithashtu se sa më e lartë të jetë pjesëmarrja në votime, aq më të mëdha janë gjasat për opozitën. Disa druhen se periudha pas zgjedhjeve madje mund të jetë e dhunshme.

Vuçiqi po përdor gjithçka që ka në fushatë për ta anuar rezultatin në favor të tij. Ai e ka shtrënguar kontrollin mbi mediat duke mbështetur një ndryshim të pronësisë së atij që deri vonë ishte grupi më i rëndësishëm i pavarur i lajmeve, United Media. Fundjavën e kaluar, 10 gazetarë të njohur nga organi i tij më i rëndësishëm, televizioni N1, dhanë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj emërimeve në poste të larta editoriale të atyre që besohet se favorizojnë Vuçiqin dhe SNS-në.

N1 kishte qenë kyç në raportimin e rritjes së shpejtë të mbështetjes për lëvizjen protestuese studentore qëkur ajo u shfaq spontanisht në nëntor 2024. Studentët dolën për herë të parë në rrugë kur streha mbi stacionin kryesor hekurudhor në Novi Sad, në Veri të Serbisë, u shemb, duke vrarë 16 njerëz. Tragjedia ndodhi vetëm disa muaj pasi një konsorcium kinez kishte përfunduar rinovimin e saj, në atë që kritikët pretendojnë se ishte një marrëveshje e korruptuar.

Në fillim, përgjigjja e Vuçiqit ishte të priste derisa demonstratat të shuheshin. Por, pavarësisht përpjekjeve të ndryshme për t’i detyruar studentët të tërhiqeshin nga rrugët, protestat u rritën gjatë gjithë viteve 2025 dhe 2026. Në mars 2025, gjatë një heshtjeje 15-minutëshe për të nderuar viktimat e fatkeqësisë së Novi Sadit, protestuesit pretenduan se policia përdori armën zanore LRAD 450XL të prodhuar në ShBA, duke bërë që turma të shpërndahej në panik. Qeveria e mohoi përdorimin e armës dhe më vonë Ministria e Brendshme ngriti kallëzim penal ndaj një analisti ushtarak për pretendimin e tij se me gjasë ishte përdorur arma zanore.

Demonstratat nuk kanë treguar asnjë shenjë zbutjeje gjatë dy viteve të fundit. Sfida e madhe me të cilën përballeshin studentët ishte se si ta kanalizonin energjinë e padyshimtë që kishin krijuar përmes lëvizjes në një forcë koherente politike, të aftë për ta sfiduar Vuçiqin. Partitë e vjetra opozitare ishin të përçara nga fraksionet dhe u mungonte udhëheqja dinamike. Por, këtë verë studentët njoftuan se kishin përzgjedhur kandidatët për të garuar në një formacion të ri, Listën Studentore, përfshirë akademikë të njohur, inxhinierë, punëtorë, figura të kulturës dhe studentë. Slogani i tyre i drejtpërdrejtë është: “Serbia ose mafia”.

Vuçiqi i është përgjigjur sfidës duke e shtuar retorikën nacionaliste në muajt e fundit, me qëllim mobilizimin e së djathtës ekstreme. Ai ka mirëpritur mbështetjen e fqinjit të tij, Milorad Dodik – udhëheqësit de facto të Republikës Sërpska, entitetit serb në Bosnjë. Dodiku prej kohësh konsiderohet si njeriu kryesor i Vladimir Putinit në Ballkan dhe, së fundmi, është afruar me Donald Trumpin – bashkëpunëtorët e të cilit po investojnë në një gazsjellës me ndihmën e tij.

Edhe Vuçiqi ka kultivuar mbështetje nga Moska. Marrëdhëniet personale mes Putinit dhe udhëheqësit serb kanë qenë të tendosura në të kaluarën. Vuçiqi e ka furnizuar Ukrainën me një sasi të konsiderueshme municionesh, ndërsa ka luajtur lojën e tij të ndërlikuar të përpjekjes për të balancuar marrëdhëniet miqësore me Perëndimin dhe Rusinë.

Por, tani që dorezat janë hequr, udhëheqësi serb është bërë më pak i përmbajtur. Një tjetër shenjë se sa seriozisht e sheh ai sfidën e studentëve ishte vendimi i tij për të lejuar ceremoninë e fundit nacionaliste të një funerali shtetëror për njeriun e njohur si “Kasapi i Bosnjës”, kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mladiq, me synimin për të forcuar mbështetjen e tij mes nacionalistëve.

Nëse, pavarësisht gjithë kësaj, Lista Studentore del fituese në zgjedhje, valët e tronditjes do të ndihen po aq fuqishëm në mbarë Evropën si atëherë kur u mposht Orbáni.

Mbi të gjitha, kjo hap mundësinë e një integrimi më të shpejtë me Bashkimin Evropian, një hap që do të mirëpritej jo vetëm në Bruksel, por edhe në Londër. Qeveritë e njëpasnjëshme britanike janë të shqetësuara se Ballkani përfaqëson barkun e butë të mbrojtjes evropiane, ku Rusia mund të ushtrojë presion të konsiderueshëm. Që nga Brexit-i, ndikimi i Britanisë këtu është i kufizuar politikisht, por ajo ka qenë aktive në promovimin e bashkëpunimit të sigurisë në të gjithë rajonin – me NATO-n dhe BE-në.

Aktivistët studentorë dhe mbështetësit e tyre janë zhgënjyer nga një indiferencë e dukshme nga ana e BE-së ndaj luftës së tyre politike dhe nga perceptimi i përgjithshëm në botën e jashtme se demokracia e Serbisë është një kauzë e humbur. Të dielën, ata synojnë t’u dëshmojnë se e kanë gabim. /Telegrafi/