Kur protesta paqësore dështon, a justifikohet dhuna?

Kur protesta paqësore dështon, a justifikohet dhuna?

Written by

in

Një nga pyetjet e mëdha filozofike që ngre lëvizja protestuese e gjimnazistëve është kjo: deri në ç’pikë mund të konsiderohet e ligjshme dhuna, qoftë ajo e ushtruar nga nxënësit apo nga policia? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Nicolas Tenaillon ka përfytyruar një dialog mes Sokratit dhe një gjimnazisteje. Dhe, këtë herë, është filozofi ai që duket i hutuar nga bashkëbiseduesja e tij!

Cynthia: Sokrat, ti thua se është më mirë të pësosh padrejtësi sesa ta bësh atë. Por, a është padrejtësi përdorimi i dhunës kur mendon se po trajtohesh padrejtësisht, sepse askush nuk të dëgjon? Sinqerisht, kur të rriturit na i imponojnë vendimet e tyre pa u kushtuar vëmendje kërkesave tona, a duhet të vazhdojmë t’u bindemi urtësisht?

Sokrati: Po ngre një pyetje të mirë, Cynthia. Por, a mendon se fakti që nuk ju dëgjojnë ju jep ty dhe shokëve të tu të gjimnazit të drejtën të ushtroni dhunë ndaj të tjerëve?

Cynthia: Jo domosdoshmërisht. Por, kur të gjitha zgjidhjet e tjera dështojnë, a na mbetet ndonjë alternativë? Nëse protestojmë në mënyrë paqësore, siç bënte Gandhi, por asgjë nuk ndryshon, çfarë mund të bëjmë tjetër përveçse t’i drejtohemi dhunës? A nuk është kjo e vetmja rrugë që sjell rezultate?

Sokrati: Pra, duket se mendon se efektiviteti i një veprimi mjafton për ta bërë atë të ligjshëm. Por, a nuk do të thotë kjo se një veprim, çfarëdo qoftë ai, është i drejtë për sa kohë që na ndihmon të arrijmë atë që duam? Nëse do ta pranonim këtë, atëherë drejtësia do të varej nga forca, apo jo?

Cynthia: Jo, nuk po them se çdo përdorim i forcës është i ligjshëm. Po them se ajo mund të justifikohet kur përdoret si përgjigje ndaj një padrejtësie që është bërë e padurueshme. Nëse nxënësit ndihen të harruar dhe të poshtëruar, mbi bazën e cilit koncept të drejtësisë mund t’u ndalohet të rebelohen?

Sokrati: Për t’iu përgjigjur pyetjes sate, mendoj se duhet së pari të shqyrtojmë se çfarë kupton me dhunë dhe me drejtësi. Përndryshe, rrezikojmë ta ngatërrojmë rezistencën e ligjshme me hakmarrjen. Për mua, drejtësia nënkupton të veprosh në përputhje me të Mirën, ndërsa dhuna nënkupton ta detyrosh tjetrin të bëjë diçka kundër vullnetit të tij, përmes forcës.

Cynthia: Në ato pak orë mësimi që kemi pasur që nga shtatori, profesori i filozofisë na ka mësuar se, sipas sociologut Max Weber, vetëm shteti mund të pretendojë me sukses monopolin e dhunës së ligjshme. Epo, ne nuk pajtohemi me Weberin. Kur në disa lëndë mungojnë mësimdhënësit për muaj të tërë, kur oraret janë të mbingarkuara dhe absurde, ndërsa ndërtesat shkollore rrezikojnë të shemben, pengimi i vazhdimit të mësimit përmes bllokimit të shkollës dhe djegies së kontejnerëve është, për ne, një formë e ligjshme e dhunës, jo hakmarrje.

Sokrati: Por, kur hidhni gurë ndaj policisë, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e paqes në qytet, a nuk bëhet kjo dhunë e paligjshme?

Cynthia: Ndoshta. Megjithëse, një nxënës i klasës sonë, një tip intelektual që lexon gjithë kohën, do të të përgjigjej me një kundërargument që më ka pëlqyer shumë.

Sokrati: Cili është ai?

Cynthia: E ka nxjerrë nga njëfarë Walter Benjamin, nga një libër i vjetër i vitit 1921, me titull Për një kritikë të dhunës. Sipas këtij autori gjerman, policia priret të mos e dallojë kufirin mes dhunës që e themelon të drejtën, siç ishte ajo e Revolucionit Francez, dhe dhunës që e ruan atë. Kështu, edhe pse policia merr udhëzime që t’u përgjigjet në mënyrë proporcionale provokimeve të gjimnazistëve, sipas këtij argumenti, në vetë natyrën e saj qëndron rreziku i kryerjes së abuzimeve. Tejkalimet e saj janë të vazhdueshme dhe mund të vërehen kudo. Pikërisht kjo e dobëson të drejtën në emër të së cilës vepron policia dhe e bën të ligjshëm kundërpërgjigjen tonë me dhunë.

Sokrati: Interesante. E pranoj se autoriteti, kur gëzon respekt, nuk ka nevojë ta shfaqë pushtetin e tij përmes dhunës. Një filozofe e madhe, Hannah Arendt, e ka shprehur shumë mirë këtë ide. Por, a nuk u shkakton dëm të tjerëve kundërdhuna për të cilën po flet, atyre që nuk duan të përfshihen në konfliktin mes jush dhe përfaqësuesve të shtetit, domethënë institucioneve arsimore dhe policisë?

Cynthia: Për kë e ke fjalën?

Sokrati: Për nxënësit që duan të vazhdojnë mësimin. Bllokimi i shkollave i prek rëndë, sepse ua pamundëson vazhdimin normal të shkollimit. Nëse duan të hyjnë në provime, a nuk kanë edhe ata të drejtë të kundërshtojnë bllokadën?

Cynthia: Po, sigurisht. Edhe liria e tyre ka rëndësi.

Sokrati: Atëherë, cila liri duhet të mbizotërojë: e juaja apo e tyre?

Cynthia: Nxënësit e përfshirë duhet të kenë mundësi ta diskutojnë këtë çështje së bashku…

Sokrati: Sigurisht. Por, le të supozojmë se në këtë diskutim shumica mbështet vazhdimin e bllokadës. A mjafton fakti që janë më të shumtë në numër për të pasur të drejtë?

Cynthia: Jo, sigurisht që jo. Edhe shumica mund të gabojë.

Sokrati: Pikërisht. Këtë ia kisha kundërshtuar edhe Protagorës, atij sofistit të shquar, i cili mendonte se një «diskurs i fuqishëm», që bind shumicën, duhet të përcaktojë se çfarë është e drejtë. Unë, përkundrazi, këmbëngul se një veprim, për të qenë i drejtë, duhet të mbështetet në arsyetim dhe jo në opinionin që arrin të bindë numrin më të madh të njerëzve. Arsyeja na thotë se, kur luftojmë kundër një padrejtësie, nuk duhet të lejojmë që kjo luftë të krijojë një padrejtësi edhe më të madhe se ajo që po përpiqemi të luftojmë. Prandaj, në fund të fundit, është më mirë të pësosh padrejtësi sesa ta bësh atë.

Cynthia: Por, Sokrat, duket se ti mendon se pengimi i nxënësve që duan të vazhdojnë mësimin është më i rëndë sesa lufta kundër atyre që na pengojnë të kemi kushte të denja për të studiuar. A nuk mendon se padrejtësia më e madhe është ajo që na shkakton institucioni, e jo ajo që ne u shkaktojmë nxënësve që vënë mbi gjithçka tjetër suksesin e tyre personal në shkollë? Për ne, është pikërisht bindja e tyre ndaj sistemit ajo që nuk është e drejtë.

Sokrati: Argument i mirë. E pranoj se respektimi i rendit nuk nënkupton gjithmonë respektim të drejtësisë. Por, pranoje edhe ti se shkelja e rendit nuk është domosdoshmërisht dëshmi e guximit.

Cynthia: Për ata që janë përbuzur dhe janë ndier të fyer nga institucioni arsimor, mendoj se angazhimi në protesta dhe shprehja e hapur e vuajtjes së tyre janë, përkundrazi, një formë guximi.

Sokrati: Por, fakti që dikush ka vuajtur nuk do të thotë se ai ka gjithmonë të drejtë. Ai mund të gabojë në gjykimin e tij, të reagojë në mënyrë joproporcionale dhe, në fund, të bëhet vetë i padrejtë.

Cynthia: Duke arsyetuar kështu, Sokrat, ti i jep të drejtë atij që e ka pushtetin, sepse kërkon që ai që vuan ta përmbajë veten dhe të sillet gjithmonë me arsye, duke respektuar rregullat që të tjerët i përdorin kundër tij.

Sokrati: Por, a duhet të themi atëherë se ai që pëson padrejtësi duhet të heqë dorë nga çdo parim moral për ta rikthyer drejtësinë?

Cynthia: Jo. Por, ne kemi të drejtë të mos u bindemi rregullave të padrejta që cenojnë dinjitetin e nxënësve.

Sokrati: Është e vërtetë se autoriteti, në vetvete, nuk mjafton për t’i bërë rregullat të ligjshme. Por, nëse secili vendos t’u bindet vetëm atyre rregullave që i konsideron të drejta, çfarë do të ndodhë me jetën tonë të përbashkët?

Cynthia: Dakord, këtu ekziston rreziku i anarkisë. Por, a është më mirë të promovojmë një shoqëri në të cilën askush nuk mund ta kundërshtojë autoritetin?

Sokrati: Jo, sepse një shoqëri e tillë do të ishte tiranike. Megjithatë, nëse i japim shumë hapësirë kundërshtimit, rrezikojmë që dialogun ta zëvendësojmë me një përballje të thjeshtë forcash. Mos mendo se një kundërshtim bëhet më i drejtë vetëm sepse është kolektiv. Turma mund të rrëmbehet lehtë nga zemërimi dhe të kërkojë hakmarrje ndaj një fajtori që e krijon vetë, pa u mbështetur domosdoshmërisht në fakte. Në veprën e tij Psikologjia e Popujve dhe Turmave, Gustave Le Bon ka treguar se sa lehtë turma mund të kthehet prapa në zhvillimin e saj dhe sa e paaftë mund të bëhet për dialog.

Cynthia: Ndoshta turma nuk ka gjithmonë të drejtë, por indinjata e saj meriton të dëgjohet, apo jo?

Sokrati: Po. Pikërisht për këtë arsye, pushteti nuk duhet ta vendosë ruajtjen e rendit përmes forcës mbi kërkimin e drejtësisë përmes dialogut dhe marrëveshjes.

Heshtje.

Cynthia: Dukesh i zhytur në mendime, Sokrat…

Sokrati: Sa më shumë që mendoj për këtë çështje, aq më shumë bindem se problemi që duhet të zgjidhim, nëse është e mundur, është ai i legjitimitetit të mosbindjes civile.

Cynthia: Çfarë do të thuash me këtë?

Sokrati: Po pyes veten se deri në ç’masë mund ta arsyetojmë dhe ta bëjmë të mbështetur në parime racionale.

Cynthia: Po ti, çfarë mendon?

Sokrati: Nëse i besoj asaj që është shkruar për këtë çështje, mendoj se kundërshtimi i shtetit, siç bëri Henry David Thoreau kur refuzoi të paguante taksat, sepse në kohën e tij ato përdoreshin për të financuar luftën kundër Meksikës me synimin e aneksimit të Teksasit, rrezikon të ngatërrojë moralin me politikën. Është e qartë se mosbindja civile duhet të ketë ndikim në jetën e qytetit dhe të shoqërisë; përndryshe, ajo mbetet vetëm një qëndrim simbolik.

Cynthia: E sheh, Sokrat? Edhe ti po flet për efektivitetin.

Sokrati: Po, por ajo që më shqetëson më shumë është se kërkimi i efektivitetit mund të çojë në luftë civile. Ne, grekët, e quajmë këtë stasis (shprishja e harmonisë). Ajo është sëmundja më e rëndë e qytetit, sepse dhuna i përfshin të gjithë dhe e shndërron fqinjin, mikun apo edhe të afërmin në një armik të mundshëm. Nëse gjimnazistët që bllokojnë shkollat fillojnë të ushtrojnë dhunë jo vetëm ndaj policisë, por edhe ndaj mësimdhënësve ose shokëve të tyre që duan të vijojnë mësimin, madje edhe ndaj prindërve që përpiqen t’i pengojnë të protestojnë për t’i mbrojtur nga dhuna policore, atëherë rreziku bëhet i madh. Çështja që ata mbrojnë jo vetëm mund të dështojë, por edhe mund të humbasë legjitimitetin për shkak të kaosit të pakontrollueshëm që shkakton.

Cynthia: Nuk kemi arritur deri aty. Nuk janë gjimnazistët ata që bëjnë thirrje për kryengritje.

Sokrati: U dëgjofshin fjalët e tua nga perënditë e Olimpit! Unë jam i mendimit, ashtu si Hannah Arendt, të cilën e përmenda më herët, se duhet të kemi besim te ligjet e qytetit. Mosbindja civile mund të jetë e ligjshme vetëm nëse nuk i dobëson ligjet themelore të sistemit politik që e ka bërë arsimin të qasshëm për të gjithë.

Cynthia: Por, a ekziston ndonjë rregull që mund ta kufizojë dhunën e gjimnazistëve, në mënyrë që ata t’i arrijnë qëllimet e tyre pa e përfshirë të gjithë qytetin në flakë e gjak?

Sokrati: Më lejo t’i referohem një mendimtari të fundit për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje: amerikanit John Rawls, autorit të veprës Teoria e Drejtësisë. Edhe pse ai nuk e konsideron mosbindjen si një mënyrë për ta legjitimuar dhunën, sipas tij mund të justifikohet vetëm nëse plotësohen tri kushte.

Së pari, duhet të ketë shkelje të rënda të parimeve themelore që e bëjnë një shoqëri të drejtë.

Së dyti, për t’i bërë kërkesat të pranueshme, duhet të kenë dështuar të gjitha mjetet ligjore, qoftë për shkak të mungesës së vullnetit të mirë nga ana e qeverisësve, qoftë për shkak të plogështisë së shoqërisë.

Së treti, mosbindja nuk duhet të shoqërohet me një numër të madh veprimesh të ngjashme, sepse kjo do të shkaktonte një çrregullim tepër të madh.

E sheh se situata e tanishme i përmbush dy kushtet e para. Por, që të jetë e ligjshme, dhuna e gjimnazistëve duhet ta respektojë edhe kushtin e tretë. Kjo do të thotë se ata duhet t’i rezistojnë tundimit për t’i bashkuar të gjitha pakënaqësitë dhe betejat në një protestë të vetme, e cila mund të shpërthejë në një zemërim të përgjithshëm.

Cynthia: Sepse, në atë rast, kauza e tyre do të humbiste veçantinë brenda një kundërshtimi të përgjithshëm ndaj qytetit dhe do të kontribuonte në shkatërrimin e tij përmes asaj që ti e quan stasis?

Sokrati: Më ke kuptuar mirë, Cynthia.

Tekst i botuar në revistën Philosophie, përkthyer dhe përshtatur për Dukagjinin.

Burimi: Dukagjini