Me fillimin e sezonit të ngrohjes, shumë njerëz vërejnë se lëkura u bëhet më e thatë, e tendosur dhe me kruarje.
Kjo ndodh sepse ngrohja qendrore ul lagështinë e ajrit dhe ndikon në tharjen e lëkurës, ndërsa te personat që vuajnë nga ekzema, simptomat mund të përkeqësohen.
Sipas dermatologëve, një nga mënyrat më të thjeshta për ta parandaluar këtë problem është dushi i shkurtër, prej pesë deri në dhjetë minuta, me ujë të vakët dhe jo të nxehtë.
Foto ilustruese
Pas dushit, lëkura duhet të thahet me prekje të lehta me peshqir, pa e fërkuar, për të shmangur irritimin e mëtejshëm.
Një rol të rëndësishëm luan edhe përdorimi i kremrave hidratues disa herë në ditë, veçanërisht menjëherë pas dushit, kur lëkura është ende pak e lagësht.
Produktet me glicerinë, acid hialuronik, vazelinë dhe gjalpë shea mund të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë.
Rekomandohet të zgjidhen produkte pa aromatizues, alkool dhe përbërës që mund të irritojnë lëkurën e ndjeshme.
Për të parandaluar tharjen, këshillohet gjithashtu përdorimi i një pajisjeje për lagështimin e ajrit, veçanërisht në dhomën e gjumit gjatë natës.
Duhet të pastrohet rregullisht për të parandaluar krijimin e mykut.
Gjithashtu, veshjet e gjera prej pambuku janë më të përshtatshme, pasi materialet si leshi dhe poliesteri mund ta irritojnë lëkurën.
Dorezat ndihmojnë në mbrojtjen e duarve gjatë pastrimit dhe në mot të ftohtë.
Personat me ekzemë duhet të përdorin rregullisht produkte hidratuese, edhe kur simptomat përmirësohen, dhe të shmangin sapunët apo detergjentët që mund ta përkeqësojnë gjendjen.
Ekzema nuk është ngjitëse, por mund të shkaktojë kruarje të fortë dhe acarim të vazhdueshëm.
Nëse lëkura bëhet e dhimbshme, e ënjtur, e nxehtë në prekje, shfaq qelb ose flluska, apo ekzema përkeqësohet papritur, duhet kërkuar ndihmë mjekësore, pasi këto mund të jenë shenja të një infeksioni.
Nëse tharja vazhdon pavarësisht kujdesit të rregullt, rekomandohet konsultimi me dermatologun, pasi mund të lidhet edhe me probleme të tjera shëndetësore. /Telegrafi/