
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe anëtarët e Komisionit për Buxhet, pas mosmbështetjes së amendamenteve të propozuara nga deputetët e opozitës për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Lushtaku ka thënë se është e papranueshme që, sipas tij, ministri të vazhdojë t’ua kujtojë deputetëve se çfarë kanë bërë qeveritë e kaluara, duke theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te nevojat aktuale të qytetarëve, veçanërisht te mbështetja për pacientët.
Ai ka përmendur edhe amendamentet e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, për ndërtimin e Qendrës së Kujdesit Paliativ, duke thënë se mbështetja për pacientët është e domosdoshme dhe se mungesa e saj i detyron shumë prej tyre të kërkojnë trajtim jashtë vendit.
“E dëgjova me vëmendje edhe ministrin, edhe kolegë deputetë, edhe për amandamentet, edhe realisht mua më vjen marre që ministri vazhdimisht po i paraqet në diskutim edhe në reagim deputetëve përkatës se çfarë keni bërë ju më herët. Besoj që është bërë edhe qytetarët e kanë tejkaluar këtë arsyetim, sepse edhe qeveria është për tashmë edhe për të ardhmen nuk është gjithmonë me thënë çfarë keni bërë ju më herët. Edhe tjetra është, besoj që secili absolutisht e ka mendimin e vet edhe personal edhe politik por besoj që ka nevojë sidomos në pjesën e mbështetjeve të pacientëve një mbështetje më të madhe që nuk po e gjejnë pacientët e Kosovës e fatkeqësisht po shkojnë jashtë vendit dhe amandamentet që ishin para nesh sidomos te Ariana Musliu-Shoshi ishin shumë të nevojshme, por besoj që në këtë drejtim shpresoj që ju vran sadopak ndërgjegjja nëse një pacient vdes e nuk e ka këtë mbështetje kur keni pasur mundësi me mbështet amandamentin e caktuar”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, ka lexuar rekomandimin për miratimin e projektligjit me amendamentet e propozuara nga Komisioni Funksional për Buxhet, duke bërë të ditur se amendamentet e tjera nuk e kanë marrë mbështetjen e komisionit.
“Atëherë më lejoni edhe një herë që të lexoj rekomandimin. Të miratohet projektligji numër 11L/013 për ndryshim dhe plotësim të ligjit numër 10L/009 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 me amandamente dhe propozuara nga Komisioni Funksional për Buxhet. Ndërsa amandamente të tjera nuk kanë marrë mbështetjen e komisionit. Konstatoj që me 6 vota për, 4 vota kundër dhe asnjë abstenim, merr mbështetje dhe kalon. Ky projektligj për plotësim dhe ndryshimin e ligjit numër 10L/009 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali