Si mund të bëhen kompanitë kosovare furnizuese të industrisë gjermane dhe evropiane?

Si mund të bëhen kompanitë kosovare furnizuese të industrisë gjermane dhe evropiane?

Written by

in

Në një fabrikë në Obiliq, pranë Prishtinës, prodhohen sot sisteme ndriçimi tekstil për industrinë automobilistike. Fabrika i përket kompanisë MUNDA Kosova, një sipërmarrje e përbashkët e kompanive gjermane AUNDE dhe MENTOR, e cila, sipas të dhënave të saj, është furnizuesi i parë në Kosovë i miratuar nga Grupi Volkswagen.

Ndërkohë, në Babush të Ri të Ferizajt, kompania familjare Eurometal prodhon konstruksione çeliku për projekte në tregjet evropiane. E themeluar në vitin 1997 si prodhuese e ulluqeve dhe profileve për kulme, ajo është zhvilluar gradualisht në një partner për projektimin, prodhimin dhe montimin e strukturave metalike. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e saj, rreth 80% e prodhimit eksportohet në tregjet e Bashkimit Evropian.

Janë dy histori të ndryshme: njëra erdhi përmes investimit gjerman, tjetra lindi dhe u rrit në Kosovë. Por të dyja dëshmojnë se produktet “Made in Kosovo” tashmë kanë vend në zinxhirët evropianë të furnizimit. Pyetja është se si këta shembuj mund të ndiqen nga më shumë kompani kosovare.

Ku kanë më shumë potencial kompanitë kosovare?

Pas ndërprerjeve të viteve të fundit në zinxhirët globalë të furnizimit, kompanitë evropiane po i rishikojnë burimet e tyre dhe po kërkojnë partnerë më afër tregjeve ku operojnë. Për Kosovën, kjo krijon mundësi për të zgjeruar rolin e saj si vend prodhues dhe furnizues.

Afërsia me tregjet evropiane, përdorimi i euros dhe lidhjet e forta me Gjermaninë janë përparësi praktike. Një rol të veçantë mund ta luajë edhe diaspora, e cila njeh të dy tregjet dhe mund të ndihmojë në krijimin e kontakteve, kuptimin e kërkesave të blerësve dhe ndërtimin e besimit.

Potenciali shtrihet në disa sektorë: përpunimin e drurit dhe prodhimin e mobiljeve, përpunimin e metaleve, materialet dhe komponentët për ndërtim, si dhe prodhimin e specializuar për industrinë automobilistike.

Përvoja e Eurometal-it tregon se një kompani vendase mund të kalojë nga produkte për tregun lokal te konstruksione për projekte evropiane. Ndërsa MUNDA Kosova ilustron mundësitë që krijohen kur investimi i huaj, teknologjia dhe fuqia punëtore vendase bashkohen në një prodhim të specializuar.

Për kompanitë kosovare, mundësia nuk qëndron domosdoshmërisht te vëllimi i madh i prodhimit. Ajo mund të gjendet edhe te fleksibiliteti, porositë e personalizuara dhe aftësia për të ofruar cilësi të qëndrueshme me kosto konkurruese.

Çfarë kërkon një blerës gjerman?

Çmimi ka rëndësi, por nuk mjafton për të siguruar një partneritet afatgjatë. Një blerës gjerman kërkon të dijë nëse furnizuesi mund ta ruajë të njëjtën cilësi nga një porosi te tjetra, t’i respektojë afatet dhe ta dokumentojë procesin e prodhimit.

Kjo kërkon organizim të brendshëm, staf të përgatitur dhe sisteme të kontrollit të cilësisë. Sipas sektorit dhe kërkesave të klientit, rëndësi kanë edhe standardet dhe certifikimet përkatëse.

Eurometal, për shembull, publikon në faqen e saj dokumentacion për certifikimin EN 1090-1 të kontrollit të prodhimit në fabrikë për komponentë strukturorë çeliku, deri në klasën e ekzekutimit EXC3. Ky është një shembull i investimeve që u duhen prodhuesve për t’iu përgjigjur kërkesave teknike të tregjeve ku synojnë të hyjnë.

Përmbushja e këtyre kërkesave kërkon kohë dhe burime financiare. Por ajo e ndihmon një kompani të konkurrojë përtej çmimit, duke i ofruar blerësit siguri për produktin dhe bashkëpunimin.

Rruga drejt statusit të furnizuesit zakonisht ndërtohet gradualisht: nga kontakti i parë dhe vlerësimi i kapaciteteve, te mostrat, porositë fillestare dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm. Çdo porosi e realizuar mirë bëhet referencë për tjetrën.

Në këtë proces, investimet më të dobishme janë ato që përmirësojnë drejtpërdrejt besueshmërinë e prodhimit: trajnimi i stafit teknik, mirëmbajtja e pajisjeve, digjitalizimi i proceseve dhe kontrolli i cilësisë. Edhe bashkëpunimi me kompanitë vendase të teknologjisë informative mund t’i ndihmojë prodhuesit të menaxhojnë më mirë porositë, materialet dhe afatet.

Energjia dhe emetimet po bëhen pjesë e konkurrencës

Krahas cilësisë dhe dorëzimit, një peshë gjithnjë e më të madhe po marrin edhe të dhënat për konsumin e energjisë dhe emetimet e prodhimit. Për furnizuesit, kjo nënkupton nevojën për ta njohur dhe dokumentuar më mirë mënyrën se si prodhojnë.

Investimet në pajisje më efikase, energji solare për vetëkonsum dhe matjen e emetimeve mund të ndihmojnë në uljen e kostove dhe në përmbushjen e kërkesave të klientëve. Kjo temë ka rëndësi të veçantë për kompanitë që eksportojnë produkte të përfshira në Mekanizmin e BE-së për Rregullimin e Karbonit në Kufi, të njohur si CBAM.

Përgatitja për këto kërkesa duhet të jetë pjesë e planifikimit të kompanisë. Një prodhues që ka të dhëna të qarta për proceset dhe produktet e veta është më i përgatitur t’u përgjigjet pyetjeve të një blerësi evropian dhe të ndërtojë marrëdhënie afatgjata.

Nga takimi i parë te partneriteti afatgjatë

Kapacitetet prodhuese kanë nevojë edhe për kontakte të duhura. Një katalog apo faqe interneti mund ta prezantojë kompaninë, por takimi i drejtpërdrejtë i jep blerësit mundësinë të njohë ekipin, të kuptojë kapacitetet dhe të diskutojë kërkesat konkrete.

Historia e MUNDA-s në Kosovë lidhet pikërisht me kontakte të krijuara në edicionin e parë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar. Ajo ilustron se si një takim biznesi mund të hapë rrugën drejt një investimi dhe një bashkëpunimi që vazhdon përtej vetë ngjarjes.

Këtë mundësi synon ta zgjerojë edhe Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar 2026, të cilin Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare e organizon më 28 dhe 29 tetor në Hotel Emerald në Prishtinë.

Në kuadër të shtyllës së tretë, të përqendruar në prodhimin e avancuar dhe zinxhirët e furnizimit, Forumi do të trajtojë mundësitë e bashkëpunimit industrial mes Kosovës dhe Gjermanisë. Takimet B2B u japin prodhuesve kosovarë hapësirë t’i prezantojnë kapacitetet e tyre drejtpërdrejt para partnerëve potencialë, ndërsa sesionet për hyrjen në tregun gjerman dhe përputhshmërinë do të trajtojnë kërkesat praktike të këtij bashkëpunimi.

Për prodhuesit e mobiljeve, konstruksioneve metalike, komponentëve dhe materialeve të ndërtimit, ky është një rast për të krijuar kontakte të reja dhe për t’i kthyer ato në marrëdhënie afatgjata biznesi.

Regjistrimi për Forumin mbetet i hapur deri më 25 tetor. Për kompanitë kosovare që synojnë tregun gjerman dhe evropian, përgatitja fillon me një pyetje konkrete: çfarë mund t’i ofrojmë një blerësi dhe si mund ta dëshmojmë se jemi partneri i duhur?