Bedri Hamza jep dorëheqje nga kreu i PDK-së

Bedri Hamza jep dorëheqje nga kreu i PDK-së

Written by

in

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të PDK-së. Bedri Hamza tha në konferencën për media se anëtarësia do ta ketë fjalën.

Hamza tha se ky vendim i hapë rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe mundësive që ata të marrin përgjegjësi.

Hamza pohoi se përgjegjësitë që ka marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për Kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj PDK-së e Kosovës dhe jo nga ambiciet personale.

Ai tha se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e të votuesve.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh ai.

Hamza foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke shprehur zhgënjimin e tij me padrejtësinë në Hagë dhe duke theksuar se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e tyre pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.

Në fund, Hamza falënderoi të gjithë anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.

Ai theksoi se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal. “Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi Hamza.

 

Burimi: RTKLive