
Dëmet e shkaktuara nga dhuna dhe trazirat gjatë protestave të fundjavës në Francë mund të arrijnë në dhjetëra, madje edhe qindra miliona euro, ka deklaruar ministri francez i Ekonomisë, Roland Lescure.
Në një intervistë për radion RTL, Lescure i cilësoi incidentet si jashtëzakonisht serioze, duke thënë se vendi është përballur me akte dhune nga anarkistët dhe huliganët.
Ai bëri të ditur se qeveria po bashkëpunon me kompanitë e sigurimeve për të mbështetur bizneset dhe tregtarët e prekur nga dëmet, ndërsa u zotua se do të merren masa për të parandaluar përsëritjen e incidenteve.
Ndërkohë, protesta të reja janë paralajmëruar për të shtunën në Paris. Lëvizja e Jelekverdhëve ka njoftuar për organizimin e një demonstrate, ndërsa edhe sindikata të punëtorëve dhe studentëve planifikojnë të mblidhen në sheshin Bastille.
Trazirat e fundit pasuan një protestë kundër rritjes së kostos së jetesës, e mbajtur më 17 tetor, kur rreth 550 mijë persona dolën në rrugë në mbarë Francën.
Gjatë protestave pati përleshje mes demonstruesve dhe policisë, u dogjën automjete, u plaçkitën dyqane dhe më shumë se 2 mijë persona u arrestuan.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali