Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të ngrijë luftimet përgjatë vijës aktuale të frontit dhe të nisë negociatat diplomatike për përfundimin e luftës me Rusinë.
Në një intervistë për televizionin amerikan Fox News, të mërkurën, Zelenskyy tha se pas arritjes së një armëpushimi, Kievi do të kërkojë garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.
“Po. Tani për tani duhet ta ngrijmë konfliktin dhe mendoj se kjo është një mënyrë reale për t’i dhënë fund kësaj lufte”, deklaroi ai, duke theksuar se armëpushimi është minimumi që Ukraina pret nga Rusia.
Zelenskyy bëri të qartë se negociatat duhet të nisin nga pozicionet aktuale të forcave në fushën e betejës, ndërsa një marrëveshje për paqe duhet të arrihet përmes diplomacisë.
I pyetur nëse Ukraina do të pranonte të hiqte dorë nga rajoni i Donbasit në këmbim të përfundimit të luftës, presidenti ukrainas e hodhi poshtë pretendimin se Rusia po fiton në fushën e betejës. Sipas tij, Moska po përpiqet ta detyrojë Kievin të tërhiqet nga territoret e veta.
“Në vitin 2026, ata nuk kanë pasur sukses. Nuk po fitojnë në fushën e betejës”, tha Zelenskyy.
Ai pranoi se populli ukrainas është lodhur nga lufta, por theksoi se kjo nuk nënkupton se vendi mund të heqë dorë nga territoret e tij.
Ndërkohë, presidenti ukrainas e cilësoi si produktive takimin e zhvilluar një ditë më parë në Oslo të Norvegjisë me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff.
Në bisedime morën pjesë edhe liderë evropianë dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë Jared Kushnerin, i cili u bashkua në distancë. Zelenskyy falënderoi kryeministrin norvegjez për organizimin e takimit, duke thënë se diskutimet u përqendruan në hapat e mundshëm drejt paqes.
Ai shprehu shpresën se takimi i Witkoffit me presidentin rus, Vladimir Putin, do të sillte rezultate konkrete.
Sipas Zelenskyyt, ndër masat e para për uljen e tensioneve mund të përfshihen armëpushimet që lidhen me sigurinë ushqimore, aktivitetet detare dhe infrastrukturën energjetike.
Ai tha se e kishte mbështetur menjëherë propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për një armëpushim në sektorin energjetik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali