Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 21 tetor është realizuar ekstradimi i një shtetasi suedez nga Kosova drejt Suedisë, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra të rënda penale që lidhen me narkotikët.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Personi i ekstraduar kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Suedisë, ndërsa procedura u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.
Policia ka theksuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale.
Ky bashkëpunim synon gjithashtu gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/