Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë, i cili dyshohet se ishte prezantuar rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të premtimeve për punësim në këtë institucion.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari me inicialet D.N. dyshohet se këtë veprimtari e kishte zhvilluar nga fillimi i vitit 2025 deri në tetor të këtij viti, kur edhe ishte raportuar rasti.
Arrestimi është realizuar të mërkurën, më 21 tetor, nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore dhe sigurimit të provave e dëshmive, sot është arrestuar personi D.N., i cili dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit ishte prezantuar rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të punësimit në këtë institucion”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa pritet vazhdimi i procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj personave që pretendojnë se mund të sigurojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave, si dhe t’i raportojnë rastet e tilla tek organet e rendit./Telegrafi/