MacBook Pro me ekran me prekje

MacBook Pro me ekran me prekje

Written by

in

Kompania amerikane e teknologjisë Apple ka njoftuar një ngjarje të veçantë për 28 tetor, ku pritet të prezantojë modelet e reja të laptopëve MacBook Pro, përfshirë një version me ekran me prekje.

Ftesat e dërguara për mediat mbajnë sloganin “Pro and tell”, i cili lë të kuptohet se ngjarja do t’i kushtohet prezantimit të pajisjeve të reja nga seria MacBook Pro. Slogani është një lojë fjalësh që i referohet shprehjes angleze “Show and tell”, e përdorur për prezantimin dhe shpjegimin e diçkaje para një publiku.

Sipas raportimeve, Apple mund të prezantojë një model të ri MacBook Pro me çipin e fuqishëm M6 dhe ekran me diagonale prej 14 inçësh. Megjithatë, kompania nuk i ka konfirmuar zyrtarisht të gjitha detajet rreth pajisjeve që do të prezantohen.

Nëse konfirmohet, integrimi i ekranit me prekje do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm për laptopët MacBook Pro, të cilët tradicionalisht janë mbështetur te tastiera dhe tastiera me prekje (trackpad) për ndërveprimin me pajisjen.

Ky do të jetë aktiviteti i dytë i veçantë i Apple gjatë këtij muaji, pasi kompania synon të zgjerojë më tej linjën e produkteve të saj.

Më herët gjatë këtij muaji, Apple prezantoi një linjë të re pajisjesh për shtëpi inteligjente, që përfshin brava inteligjente, zile me video, termostate, sensorë të temperaturës dhe kamera sigurie.

Pajisjet e reja shtëpiake pritet të dalin në shitje në dhjetor dhe janë zhvilluar në bashkëpunim me kompanitë LG Electronics dhe Schneider Electric. Ato do të lidhen me pajisjen qendrore të Apple për menaxhimin e shtëpisë inteligjente, HomeView. /Telegrafi/