Irani është i gatshëm për bisedime me SHBA-në

Irani është i gatshëm për bisedime me SHBA-në

Written by

in

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të vazhdojë rrugën diplomatike me Shtetet e Bashkuara, por njëkohësisht është i përgatitur të mbrohet në rast të një sulmi të ri ushtarak.

Në një intervistë për televizionin irakian Al-Ekhbariya, Araghchi tha se kontaktet diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit po vazhdojnë përmes vendeve ndërmjetësuese, përfshirë Pakistanin dhe Katarin.

Ai bëri të ditur se Irani i ka paraqitur SHBA-së një nismë shtatëditore, sipas së cilës Ngushtica e Hormuzit do të rihapej plotësisht në ditën e gjashtë, nëse Uashingtoni i pranon kushtet e Teheranit.

Sipas Araghchit, pala amerikane ka njoftuar se i pranon kushtet iraniane, por ka kërkuar shtimin e disa pikave të tjera në marrëveshje. Ai nuk i bëri publike kërkesat shtesë të SHBA-së, raportojnë mediat.

Kryediplomati iranian theksoi se Teherani kërkon që Uashingtoni të përmbushë të gjitha zotimet e përcaktuara në memorandumin e mirëkuptimit të arritur në Islamabad. Vetëm pas përmbushjes së tyre, sipas tij, mund të zhvillohen negociata për çështjet e tjera.

Araghchi tha se Irani dëshiron ta mbajë të hapur rrugën diplomatike, por shprehu mosbesim ndaj Shteteve të Bashkuara, duke pretenduar se raundet e mëparshme të negociatave kishin përfunduar me sulme kundër vendit të tij.

“Bota duhet ta dijë se është pala amerikane, dhe jo Irani, ajo që po e bllokon rrugën drejt diplomacisë”, deklaroi ai.

Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, Araghchi tha se ajo nuk do të hapet plotësisht për të gjithë trafikun detar pa një marrëveshje me Uashingtonin.

Ai shtoi se Irani dhe Omani kanë rënë dakord për rrugët e hyrjes dhe daljes së anijeve nga ngushtica, ndërsa hartat dhe koordinatat përkatëse duhet të regjistrohen pranë Organizatës Ndërkombëtare Detare.

Duke folur për mundësinë e një konflikti të ri, ministri iranian paralajmëroi se nuk mund të përjashtohet një sulm i ri nga SHBA-ja dhe Izraeli.

“Kur themi se jemi të gatshëm për luftë, kjo nuk do të thotë se e dëshirojmë atë. Përkundrazi, është një mesazh për palën tjetër që të rishikojë llogaritjet e saj dhe të mos nisë një luftë tjetër”, theksoi Araghchi, duke shtuar se Irani është po aq i gatshëm për diplomaci sa edhe për luftë. Irani është i gatshëm për diplomaci me SHBA-në