Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, po kalon një periudhë pozitive te Hoffenheimi, pasi një verë e vështirë dhe e mbushur me pasiguri tashmë duket se i përket së kaluarës. Futbollisti kosovar po fiton vazhdimisht ritmin e tij, ndërsa po shijon edhe paraqitjet në arenën evropiane.
Asllani, i cili të mërkurën mori pjesë në festimin e ditëlindjes së 49-të të trajnerit Christian Ilzer, ka arsye të shumta për të qenë i kënaqur. Pas një periudhe të komplikuar, ai është rikthyer në formë dhe po luan rregullisht në formacionin bazë të skuadrës gjermane.
Vëmendja e Hoffenheimit tani është te ndeshja e së enjtes në Ligën e Evropës kundër Lyonit, që vjen pas fitores ndaj Borussia Mönchengladbachut. Trajneri Ilzer e vlerësoi kundërshtarin si një skuadër të fortë, me fleksibilitet taktik, lojtarë të shpejtë dhe fuqi fizike.
Për Asllanin, ndeshjet evropiane kanë një domethënie të veçantë, pasi janë përballje që dikur i ndiqte vetëm nga televizori.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për netët evropiane. Janë ndeshje që më parë i shikoja nga divani”, u shpreh sulmuesi 24-vjeçar, i cili po e shijon mundësinë për të dëshmuar vlerat e tij në një nivel të lartë.
Vera e vështirë dhe transferimi i dështuar te Leipzigu
Për Asllanin, muajt e fundit nuk kanë qenë aspak të lehtë. Transferimi i tij i mundshëm te RB Leipzigu dështoi papritur për shkak të shqetësimeve mjekësore, duke i prishur planet për hapin e radhës në karrierë dhe duke i kushtuar kohë të rëndësishme të përgatitjeve verore.
Megjithatë, sulmuesi kosovar nuk u dorëzua dhe vazhdoi të punonte për rikthimin e tij fizik.
“Nuk kanë qenë javë të lehta, por gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin, qoftë në palestër apo kudo tjetër. Jam para së gjithash shumë i lumtur që jam sërish në fushë. Kjo është ndjenja më e mirë, sidomos kur vjen pas një periudhe të vështirë”, deklaroi Asllani.
Ai nuk deshi të ndalej më gjatë te vendimi i Leipzigut, duke preferuar të përqendrohej te e tashmja dhe te mundësitë që i janë krijuar te Hoffenheimi.
Rikthimi i tij po shoqërohet me paraqitje gjithnjë e më të mira. Në tri ndeshje brenda një jave, Asllani regjistroi dy asistime, një gol dhe një goditje që përfundoi në shtyllë, duke treguar se po e rikthen formën dhe ndikimin në lojën e skuadrës.
“Trupi im ndihet shumë mirë”
Asllani është i bindur se e ka kaluar periudhën më të vështirë dhe se puna e bërë gjatë mungesës po jep rezultat.
“Ndihem shumë mirë dhe trupi im ndihet shumë mirë. Kohën që kam munguar e kam kompensuar mirë, kemi punuar shumë për këtë së bashku me ekipin. Jam kujdesur mirë nga të gjithë”, theksoi ai.
Sulmuesi i Kosovës beson se Hoffenheimi ka potencialin të përballet me çdo kundërshtar, por pranon se skuadra duhet të ruajë nivelin e lojës për më shumë minuta gjatë ndeshjeve.
“Kemi pasur periudha të mira në çdo ndeshje, edhe në ato që i kemi humbur. Kjo të jep ndjesinë se mund të përballemi me çdo skuadër. Tani duhet të arrijmë ta tregojmë këtë për një kohë më të gjatë, idealisht gjatë të gjitha 90 minutave”, u shpreh Asllani.
Përballja me Lyonin përfaqëson një tjetër mundësi për Hoffenheimin që të konfirmojë përmirësimin e formës. Asllani shpreson që skuadra të paraqitet mirë dhe të marrë tri pikët, ndërsa synon të vazhdojë me paraqitjet pozitive pas një vere që rrezikoi t’ia komplikonte karrierën. /Telegrafi/