I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, ka bërë të ditur se bisedimet me presidentin rus, Vladimir Putin, në Shën Petersburg kanë qenë konstruktive dhe do të vazhdojnë në kuadër të negociatave teknike trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës.
Witkoff, i cili në këto takime shoqërohej nga Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, tha se gjatë vizitave në Oslo dhe Shën Petersburg janë zhvilluar takime me përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe vendeve evropiane, me synimin për të çuar përpara përpjekjet e presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës.
Sipas tij, takimi me Putinin u përqendrua në vazhdimin e përparimit të arritur gjatë bisedimeve në Oslo me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe në diskutimin e kornizës së mundshme për një marrëveshje paqeje.
Witkoff e falënderoi gjithashtu presidentin rus për lirimin e shtetasit amerikan Stephen Hubbard, i cili, sipas tij, mundi të kthehej pranë familjes së tij.
Ai theksoi se, megjithëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë, administrata Trump është e përkushtuar për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Një marrëveshje e tillë, sipas Witkoffit, do të duhej të garantonte sigurinë dhe prosperitetin për brezat e ardhshëm.
Ndryshe, negociatat e fundit trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së u mbajtën në shkurt të vitit 2026, në Gjenevë të Zvicrës. Ato pasuan dy raunde bisedimesh në Abu Dhabi, në janar dhe shkurt. /Telegrafi/