Çmenduri e paparë para prezantmit të GTA 6 – fitim prej 630 milionë dollarësh një muaj para premierës

Çmenduri e paparë para prezantmit të GTA 6 - fitim prej 630 milionë dollarësh një muaj para premierës

Written by

in

Video-loja e shumëpritur “Grand Theft Auto 6” (GTA 6) po shkon drejt një prej lansimeve më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit, pasi ka siguruar rreth 630 milionë dollarë të ardhura nga porositë paraprake, një muaj para daljes zyrtare në treg.

Sipas vlerësimeve të kompanisë analitike Sensor Tower, deri më 20 tetor janë porositur paraprakisht rreth 6.45 milionë kopje të lojës, duke dëshmuar interesimin e jashtëzakonshëm të lojtarëve për titullin e ri të Rockstar Games.

Prezantimi i video-lojës është planifikuar për 19 nëntor, për konsolat PlayStation 5 dhe Xbox Series. Ajo konsiderohet si një prej publikimeve më të rëndësishme të vitit në industrinë e video-lojërave.

PlayStation 5 dominon në porositë paraprake, duke përbërë rreth 74 për qind të tyre. Sipas të dhënave të publikuara, për këtë platformë janë porositur rreth 4.8 milionë kopje, ndërsa për Xbox janë rezervuar rreth 1.66 milionë.

Pritshmëritë për suksesin e lojës janë të larta edhe pas prezantimit. Analistët e kompanisë financiare Piper Sandler kanë vlerësuar se GTA 6 mund të shesë më shumë se 45 milionë kopje menjëherë pas publikimit.

Versioni standard i lojës kushton 79.99 dollarë, ndërsa paketa Ultimate është në dispozicion për 99.99 dollarë. Gjithashtu, është paralajmëruar një set koleksionist me çmim prej 399.99 dollarësh, i cili përfshin produkte tematike, por jo vetë lojën.

GTA 6 është vazhdimi i lojës së famshme GTA 5, e publikuar në vitin 2013. Ngjarjet e pjesës së re zhvillohen në shtetin imagjinar Leonida, të frymëzuar nga Florida, ndërsa kompania premton një botë më të detajuar dhe mundësi të zgjeruara për lojtarët.

Interesimi i madh për lojën ka ndikuar edhe në planet e studiove të tjera, disa prej të cilave kanë ndryshuar datat e publikimit të titujve të tyre për të shmangur konkurrencën e drejtpërdrejtë me GTA 6.

Me miliona porosi paraprake dhe pritshmëri të larta për shitjet pas prezantimit, loja e re e Rockstar Games synon të vendosë standarde të reja në industrinë e video-lojërave. /Telegrafi/