Kosova dhe Hungaria synojnë thellimin e bashkëpunimit në kulturë dhe trashëgimi

Kosova dhe Hungaria synojnë thellimin e bashkëpunimit në kulturë dhe trashëgimi

Written by

in

Këto çështje u diskutuan në takimin ndërmjet sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kosovës, Bislim Bislimi, dhe zëvendëssekretarit shtetëror për diplomacinë kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Gábor Csaba.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, dhe drejtoresha e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Brikena Mulliqi.

Sipas njoftimit të ministrisë, palët diskutuan për lehtësimin e zbatimit të marrëveshjeve sektoriale në kulturë dhe trashëgimi kulturore, si dhe për hartimin e një kalendari të përbashkët kulturor.

Në fokus ishin edhe mbështetja e botimeve, konferencave dhe prezantimeve kulturore e artistike, përshtatja e programeve të bursave me nevojat profesionale në këto fusha dhe promovimi i trashëgimisë arkeologjike të Kosovës në Hungari.

Përfaqësuesit hungarezë shprehën gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në proceset e integrimit evropian që lidhen me kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

Sipas ministrisë, takimi synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve kulturore të të dyja vendeve.

Burimi: RTKLive