Si arrin Luis Enrique të ruajë formën fizike në moshën 57-vjeçare? Ja çfarë bën ndryshe trajneri i PSG-s

Si arrin Luis Enrique të ruajë formën fizike në moshën 57-vjeçare? Ja çfarë bën ndryshe trajneri i PSG-s

Written by

in

Ndërsa vëmendja e botës së futbollit është te përballjet e mëdha të Ligës së Kampionëve, Luis Enrique tërheq vëmendjen jo vetëm për sukseset e tij si trajner, por edhe për formën fizike që ruan ndër vite.

Në krye të Paris Saint-Germain, tekniku spanjoll vazhdon të jetë një nga emrat më të spikatur të futbollit evropian.

Por cili është sekreti i tij për të qëndruar në formë dhe cilat janë zakonet që ndjek në përditshmëri? Nga aktiviteti fizik te mënyra e të ushqyerit, Luis Enrique ka disa rutina që e shoqërojnë edhe jashtë fushës së blertë.

Trajneri asturian është i apasionuar pas futbollit, por edhe pas çiklizmit dhe sportit në përgjithësi. Në moshën 57-vjeçare, Luis Enrique gëzon një formë fizike të admirueshme. Ky është sekreti i tij:

“Kur merrem me sport, stërvitem esëll. Pas përfundimit të stërvitjes, nëse më hahet, ha mëngjes; përndryshe, pres deri në drekë. Kjo varet nga mënyra se si ndihem”, ka treguar ai.

Në dokumentarin e Movistar Plus+, ‘No tenéis ni pu* idea’*, shihet se trajneri spanjoll ka programuar një alarm në telefonin e tij që bie çdo 30 minuta, për t’i kujtuar të kryejë një sërë ushtrimesh që e mbajnë trupin aktiv.

Ai nuk e konsideron të domosdoshme që aktiviteti fizik të kufizohet vetëm në seanca intensive stërvitore, pasi angazhimet e punës nuk ia lejojnë gjithmonë një gjë të tillë. Për të, mjafton ta mbajë trupin vazhdimisht në lëvizje, në mënyrë që i gjithë organizmi të funksionojë më mirë.

Forma fizike nuk është i vetmi aspekt të cilit Luis Enrique i kushton rëndësi. Edhe ushqyerja është thelbësore për të ruajtur këtë gjendje fizike optimale.

Sekreti i trajnerit të PSG-së qëndron te një regjim ushqimor i pasur me proteina, përmes ushqimeve si vezët, ndërsa karbohidratet i kufizon sa më shumë.