Komuna e Malishevës hap thirrjen e dytë për mbështetjen e familjeve në nevojë

Komuna e Malishevës hap thirrjen e dytë për mbështetjen e familjeve në nevojë

Written by

in

Komuna e Malishevës ka hapur thirrjen e dytë publike për aplikim për familjet në nevojë, në kuadër të projektit për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive për familjet e cenueshme.

Sipas njoftimit të komunës, qëllimi i projektit është përmirësimi i kushteve të jetesës për familjet me të ardhura të ulëta, përmes ofrimit të mbështetjes financiare për renovimin ose rindërtimin e shtëpive private.

Thirrja mbështetet nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (BZHKE) dhe është pjesë e projektit “Banimi Social Adekuat”.

Kush mund të aplikojë?

Të drejtë aplikimi kanë familjet që përballen me kushte të rënda dhe rrethana të cenueshme të banimit, përfshirë:

  • familjet që jetojnë në shtëpi që nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për banim;
  • familjet me rrezik për shëndet ose dëmtim serioz të banesës;
  • familjet që jetojnë në shtëpi të shpronësuara, të shpërngulura ose të palegalizuara;
  • familjet që përballen me vështirësi të rënda ekonomike;
  • personat me aftësi të kufizuara;
  • viktimat e fatkeqësive natyrore ose të luftës së viteve 1998/99;
  • si dhe raste të tjera të veçanta që vlerësohen nga Komuna.

Afati për aplikim

Aplikimet mund të dorëzohen nga 6 deri më 20 tetor 2026, çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00.

Formulari i aplikimit, së bashku me dokumentet e kërkuara, dorëzohet në Zyrën e Pritjes së Palëve, në objektin e ri të komunës, përkatësisht në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

Dokumentet e kërkuara

Aplikuesit duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, letërnjoftimin, deklaratën për bashkësinë familjare dhe dokumentacionin që dëshmon përkatësinë në një ose më shumë kategori të cenueshme.

Po ashtu kërkohet certifikata e pronësisë së tokës ku do të bëhet renovimi ose rindërtimi, e lëshuar jo më herët se gjashtë muaj, ose dokument i noterizuar për disponueshmërinë e pronës. Në varësi të rastit, duhet të dorëzohet edhe leja e ndërtimit ose vërtetimi për procesin e legalizimit, si dhe fatura tatimore për vitin 2025.

Dokumentet duhet të dorëzohen në zarf të mbyllur, ku duhet të shënohen emri i aplikimit – “Rindërtim” ose “Renovim” – emri dhe mbiemri i aplikuesit, adresa e vendbanimit dhe data e aplikimit.

Për informata shtesë, qytetarët mund t’u drejtohen Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Malishevës. /Telegrafi/