
Një incident shqetësues është raportuar në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë, ku një nxënës i mitur dyshohet se ka kërcënuar mësimdhënësin e tij dhe më pas ka tentuar ta sulmojë fizikisht, gjatë zhvillimit të orës mësimore.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 21 tetor 2026, rreth orës 10:50, gjatë orës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, nxënësi, rreth 14-vjeçar, dyshohet se fillimisht ka nisur ta kërcënojë verbalisht mësimdhënësin e lëndës.
Situata është përshkallëzuar kur i mituri dyshohet se ka tentuar edhe ta sulmojë fizikisht profesorin, ndërsa rrethanat që çuan deri te incidenti ende nuk janë sqaruar.
Pas raportimit, në shkollë kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë kontaktuar dhe intervistuar mësimdhënësin në cilësinë e ankuesit.
Megjithatë, nxënësi ishte larguar para se Policia ta siguronte praninë e tij, ndaj në momentin e raportimit ende nuk ishte intervistuar.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Kanosje”.
Policia po vazhdon veprimet për sqarimin e rrethanave të incidentit dhe trajtimin e rastit sipas procedurave që zbatohen ndaj të miturve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali