
Një kontroll rutinë i Policisë pranë rrethrrotullimit të Magurës në Lipjan ka përfunduar me arrestimin e një 27-vjeçari, pasi në çantën e tij të dorës është gjetur një pistoletë e tipit “Zoraki”, së bashku me një karikator dhe pesë fishekë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i arrestuari është Mërgim Avdyli rreth 27-vjeç, i cili po drejtonte një veturë BMW kur është ndaluar nga zyrtarët policorë.
Ngjarja ka ndodhur më 21 tetor 2026, rreth orës 14:05, në afërsi të rrethrrotullimit të Magurës, në komunën e Lipjanit.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, zyrtarët policorë kishin vendosur një pikë kontrolli dhe, gjatë ndalimit të BMW-së, kanë kontrolluar edhe drejtuesin e saj.
Pikërisht në çantën e dorës së 27-vjeçarit është zbuluar pistoleta “Zoraki”, me një karikator dhe pesë fishekë.
Pas gjetjes së armës, Avdyli është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendim të të cilit ndaj Mërgim Avdylit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e rrethanave të posedimit të armës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali