Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore, duke folur për takimin që kanë patur me ministrin Shasivari, tha se, edhe pse propozimi i ministrit është një rritje nga ajo që ministri paraprak Fillkov e propozonte, por metodologjia se si do të arrihet ajo, tha Ademi, është ajo që bien ndesh.
“Të bësh të njëjtin hap të cilin kanë dashur ta bëjnë ata para teje dhe ata shkelje ligjore që parashihen të bëhen tani, janë të dëmshme për ne për shqiptarët. Këtë ja sqaruam zotri Shasivarit”, tha Ademi, duke shtuar se me këtë propozim shkilet ligji ekzistues dhe kushtetua”, tha Ademi në “Shenja”.
Lidhur me ato dy lëndë që duhet të jepen në gjuhën maqedonase, Ademi tha se shpjegimi u është thënë atyre, për shkak se janë lëndë që dalin nga gjykata.
“Ne nuk kemi asgjë kundër gjuhës maqedonase por besoj që ka ardhur koha që edhe procedurat gjyqësore të zhvillohen në gjuhën shqipe, ashtu siç e parasheh ligji”, deklaroi Ademi.
Ademi tha se nuk mund të pranojë që studentët shqiptarë të testohen në një gjuhë tjetër nga ajo në të cilën kanë ndjekur arsimin.
“Unë do të jem dakord ta jap në gjuhën maqedone, kur edhe studenti maqedonas që ka studiuar njëjtë si unë në gjuhën e tij maqedone ta jap në shqip provimin. Por atëherë tingëllon çuditshëm, tingëllon e pabazë kjo. Pse?! Sepse jemi dy popuj këtu, njëri popull është elitar dhe ne jemi klasa e dytë në Maqedoninë tonë. Nuk mund ta tolerojë unë këtë. Tani, a vlen kushtetuta vetëm për mua, kur duhet të paguaj tatime, taksa e kështu me radhë, kur duhet të paguajmë dënime, faturat e rrymës?! E kur vjen puna për të drejtat e mia, atëherë jam problem duhet t’i pyes ndërkombëtarët edhe njëherë.
Një studenti, mua kur të aplikoj për ta dhënë provimin, mua do të më shkojë një vit – dy vit për ta perfeksionuar gjuhën maqedone që të mund të hy në provim. E në vend që, unë ta jap provimin në gjuhën shqipe dhe dalëngadalë ta mësojë duke punuar, duke u zhvilluar sepse ne e dimë gjuhën maqedone, por unë të testohem, dituria ime të matet në bazë të një gjuhe të huaj, kjo nuk është e tolerueshme”, deklaroi Ademi.