Pse lëkura e grave dhe burrave shërohet ndryshe? Shkencëtarët zbulojnë rolin e hormoneve

Pse lëkura e grave dhe burrave shërohet ndryshe? Shkencëtarët zbulojnë rolin e hormoneve

Written by

in

Lëkura e grave dhe e burrave nuk rigjenerohet në të njëjtën mënyrë, ndërsa një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë hormonet seksuale.

Ky është përfundimi i një studimi të Universitetit të Lirë të Brukselit, të publikuar në revistën shkencore Nature.

Hulumtimi u krye kryesisht te minjtë, ndërsa disa rezultate u konfirmuan edhe në qelizat e lëkurës njerëzore të rritura në laborator.

Studiuesit ndoqën për pesë muaj aktivitetin e qelizave staminale, të cilat janë përgjegjëse për ripërtëritjen e vazhdueshme të lëkurës.

Rezultatet treguan se te femrat, qelizat e krijuara nga ndarja e së njëjtës qelizë priren të veprojnë në mënyrë të koordinuar, duke ndarë ose duke nisur procesin e specializimit në të njëjtën kohë. Te meshkujt, qelizat shfaqin më shumë pavarësi në ritmin e tyre të zhvillimit.

Sipas studiuesve, testosteroni ndikon në ritmin e pjekurisë së qelizave staminale, ndërsa estrogjeni ndihmon në ndarjen dhe koordinimin e tyre.

Eksperimentet treguan se ndryshimi i niveleve të këtyre hormoneve mund të ndryshonte edhe mënyrën se si silleshin qelizat.

Studimi zbuloi gjithashtu se plagët në shpinën e minjve femra mbylleshin më shpejt, veçanërisht në fazat e para të shërimit. Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar se sa zbatohen këto rezultate te njerëzit.

Studiuesit shpresojnë që zbulimet të ndihmojnë në zhvillimin e trajtimeve që marrin parasysh dallimet biologjike mes gjinive, veçanërisht për djegiet, plagët kronike dhe rikuperimin pas operacioneve.

Ekipi planifikon të hetojë më tej edhe lidhjen mes këtyre mekanizmave dhe zhvillimit të kancerit të lëkurës. /Telegrafi/