Qyteti i vogël australian Wangaratta, në shtetin e Viktorias, është gjendur papritur në qendër të vëmendjes pas sulmit ndaj deputetes federale të pavarur, Helen Haines, e cila u godit nga një veturë jashtë zyrës së saj të hënën pasdite. Banorët, të mësuar me turistët që vizitojnë kantinat e verës dhe festivalin vjetor të xhazit e bluzit, tani po përballen me pyetje të shumta për ngjarjen që ka tronditur komunitetin me afro 30 mijë banorë.
Policia dyshon se sulmi ishte i qëllimshëm dhe i planifikuar. Haines u transportua me helikopter në Melburn, ku mjekët u detyruan t’ia amputonin të dyja këmbët. Megjithatë, bashkëshorti i saj, Phil Haines, tha se dy pjesët më të rëndësishme të saj, zemra dhe mendja, ishin “në gjendje të mirë”.
“Banorët janë të tronditur dhe e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë përmasën e kësaj tragjedie”, deklaroi të mërkurën guvernatorja e përgjithshme e Australisë, Sam Mostyn, e cila përfaqëson mbretin Charles.
Banorët i thanë BBC-së se Haines nuk është një figurë përçarëse dhe se askush nuk arrin të kuptojë pse ajo mund të jetë vënë në shënjestër, transmeton Telegrafi.
“E njohin të gjithë Helenën”, tha Jane Hill, pronare e një dyqani dhuratash që ndodhet disa qindra metra larg vendit ku u godit deputetja.
“Ajo është një person shumë i mirë për komunitetin tonë. Merrte pjesë në gjithçka, nga festimet te funeralet. Është një nga ata njerëz që janë vërtet të sjellshëm, ashtu si edhe familja e saj”.
Brendan Nugent, banor i zonës, përballet me të paktën tri akuza lidhur me sulmin e dyshuar, përfshirë shkaktimin e qëllimshëm të lëndimeve. Babai i tij ka qenë mik i Haines për dekada. Nugent u paraqit në gjykatë të mërkurën, ndërsa policia tha se po shqyrton akuza të tjera të mundshme, përfshirë tentativën për vrasje.
Haines u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 2019 dhe njihet veçanërisht për përpjekjet shumëvjeçare për krijimin e një komisioni kombëtar kundër korrupsionit. Ajo u angazhua për këtë çështje pas një serie skandalesh politike, të cilat, sipas saj, kishin çuar në “shpenzimin e parave publike për përfitime politike”, investime joproporcionale në projekte të mëdha infrastrukturore në zona me gara të ngushta zgjedhore dhe vendime që favorizonin donatorët e mëdhenj në dëm të qytetarëve të zakonshëm.
Komisioni u krijua përfundimisht në vitin 2023, gjatë qeverisjes laburiste të kryeministrit Anthony Albanese.
Deputetja ka ndihmuar gjithashtu në sigurimin e fondeve për ndërtimin e banesave, përmirësimin e hekurudhave dhe infrastrukturën shëndetësore në rajonin e saj. Ajo ka argumentuar prej kohësh se zonat jashtë qyteteve të mëdha janë lënë pas dore nga politikat publike.
Banorët e Wangaratta-s flasin me vlerësim për ish-infermieren dhe maminë që u bë politikane. Kryetarja e bashkisë, Irene Grant, e përshkroi Haines si “të ngrohtë”, “të gëzuar” dhe “të përkushtuar”, duke përmendur angazhimin e saj për klimën dhe të drejtat e popujve indigjenë.
Komisioneri i policisë së Viktorias, Mike Bush, tha të mërkurën se Haines u kishte dhënë “mbështetje të jashtëzakonshme” policëve të zonës pas vrasjes së dy efektivëve, të cilët u qëlluan për vdekje në qytetin e afërt Porepunkah vitin e kaluar.
Dëshmitarët që i dolën në ndihmë deputetes pas sulmit kujtuan se ajo i falënderoi edhe pse ishte rëndë e plagosur.
“Ishte e pabesueshme. Po bisedonim dhe ajo po më tregonte për nipërit e mbesat e saj”, tha Jacklyn Black për emisionin “Today” të rrjetit Nine Network.
Cody Lepoidevin tha se ishte mbresëlënëse mënyra se si Haines u përpoq të qëndronte e qetë dhe të shprehte mirënjohjen për ndihmën që po merrte nga komuniteti. “Ajo thjesht i falënderoi të gjithë”, u shpreh ai.
Në dritaren e zyrës së deputetes është vendosur një fotografi e madhe e saj. Njerëzit që sjellin lule për Haines largohen duke buzëqeshur pasi i lënë ato pranë ndërtesës.
Të martën, përballë zyrës së saj, një burrë valëviste flamurin australian. Në bluzën e tij shkruhej: “Wangaratta – kjo nuk jemi ne!”.
Mesazhi pasqyron ndjenjat e shumë banorëve të këtij qyteti, ku njerëzit janë mësuar të kujdesen për njëri-tjetrin.
Pranë zyrës së Haines ndodhet berberhanja RickyChops, në pronësi të Ricky Jefferies. Kur dëgjoi zhurmën dhe kaosin jashtë, ai doli për të ndihmuar dhe e mbajti të dyshuarin të neutralizuar deri në mbërritjen e policisë.
“U përkula mbi të dhe, pasi ishte në tokë dhe nuk përbënte më kërcënim, qëndrova pranë tij dhe i thashë se nuk mund të largohej”, tregoi Jefferies pas ngjarjes.
“Unë nuk mendoj se jam hero. Mendoj se isha thjesht një person që pati mundësinë të ndërhynte në një mënyrë relativisht të sigurt”, shtoi ai.
Megjithatë, shumë banorë e konsiderojnë atë hero. Të martën pasdite, edhe në derën e berberhanes së tij u vendosën lule, së bashku me një tullumbace të vogël ku shkruhej “Faleminderit”.
Në katedralen anglikane Holy Trinity u mbajt një vigjilje ku qindra njerëz pritën në radhë për të ndezur qirinj në nderim të Haines. Disa përqafuan përfaqësuesit e klerit, ndërsa të tjerë mbanin bluza me mbishkrimin “Ekipi Helen Haines”.
Bashkëshorti i saj tha se kishte marrë “mijëra e mijëra” mesazhe dashurie dhe mbështetjeje.
“Nuk mund ta përshkruaj sa shumë ndryshim sjell kjo për të gjithë ne”, tha ai. “Rruga e Helenës drejt shërimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por e dimë se ajo është luftëtare”.
Austin Longfield, banor i qytetit të afërt Albury, tha se mbështetja për Haines shkon përtej bindjeve politike.
“Pavarësisht nëse voton për të apo jo, duket se ajo e ka komunitetin në zemër. Kjo është gjithçka që mund të kërkosh nga një politikane që përfaqëson zonën tënde”, tha ai.
“Është diçka që nuk do ta prisje në komunitetin tonë. I sheh këto gjëra në vende të tjera, por nuk e kisha menduar se mund të ndodhnin këtu”, shtoi Longfield. /Telegrafi/