UNË E DI PSE KËNDON ZOGU I NGUJUAR NË KAFAZ

UNË E DI PSE KËNDON ZOGU I NGUJUAR NË KAFAZ

Written by

in

Poezi nga: Maya Angelou
Përktheu: Skënder Buçpapaj

Një zog i lirë hidhet mbi shpinën
e erës dhe fluturon kundër rrymës
e ia del tejembanë, dhe e ngjyen një flatër
në portokallinë e rrezeve të diellit
dhe guxon t’ia mësyjë qiellit.

Por një zog që truset në kafazin e tij të ngushtë
mund të shohë veç tek-tuk përmes hekurave të zemërimit
flatrat e tij janë prerë dhe këmbët e tij janë lidhur
prandaj e hap gojën për të kënduar.

Zogu në kafaz këndon me një trill të frikshëm
për gjëra të panjohura, por ende të ëndërruara
dhe zëri i tij dëgjohet në kodrinat e largëta sepse
zogu në kafaz i këndon lirisë.

Zogu i lirë mendon për një tjetër puhizë
e për alizé delikate përmes
pëshpëritjeve të pemëve
dhe për krimba të majmë që e presin në një lëndinë
të ndritshme dhe ai qiellin e quan të tijin.

Por një zog në kafaz ngrihet mbi varrin e ëndrrave
hija e tij thërret mbi ulërimën e një makthi
flatrat e tij janë prerë dhe këmbët e tij janë lidhur
prandaj e hap gojën për të kënduar.

Zogu në kafaz këndon me një trill të frikshëm
për gjëra të panjohura, por ende të ëndërruara
dhe zëri i tij dëgjohet në kodrinat e largëta sepse zogu në kafaz i këndon lirisë.