Manchester United ka përjetuar një tjetër mbrëmje të tmerrshme të mërkurën, pasi humbja turpëruese 4-1 ndaj Comos shkaktoi një përplasje publike mes Michael Carrickut dhe Bruno Fernandesit.
Kjo humbje e rëndë në Ligën e Kampionëve ka shtuar dyshimet për të ardhmen e trajnerit, pas një paraqitjeje ku skuadra dështoi si në aspektin taktik, ashtu edhe në angazhimin fizik.
‘Djajtë e Kuq’ kaluan një mbrëmje për t’u harruar në stadiumin ‘Giuseppe Sinigaglia’, duke pësuar humbjen e pestë në vetëm 11 ndeshje këtë sezon. Rezultati zhgënjyes në Evropë e zgjati gjithashtu në shtatë numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore në të gjitha garat.
Kapiteni i Unitedit u zëvendësua në minutën e 67-të, në një mbrëmje kur gjigantët e Ligës Premier u dominuan plotësisht nga kundërshtari. Pas ndeshjes, situata u tensionua edhe më shumë, pasi kapiteni dhe trajneri shkëmbyen kritika publike për arsyet e kolapsit në Itali.
Pas zëvendësimit, Fernandes ia drejtoi gishtin stafit teknik, duke vënë në pikëpyetje planin e lojës.
“Ishte një vendim i stafit që të mos ushtronim presion lojtar më lojtar dhe, në disa raste, të linim hapësira prapa”, deklaroi mesfushori portugez.
Kur u pyet për këto komente gjatë konferencës për media pas ndeshjes, trajneri 45-vjeçar nuk i pranoi kritikat pa reaguar. Përkundrazi, Carrick iu kundërpërgjigj Fernandesit, duke vënë në dyshim angazhimin dhe vrapimin e lojtarëve të tij.
“Në fakt, në pjesën e dytë ushtruam presion pjesërisht lojtar më lojtar dhe më pas pësuam gol pikërisht nga kjo mënyrë e lojës”, shpjegoi Carrick.
Më pas, trajneri dha një mesazh të drejtpërdrejtë për skuadrën, duke theksuar se taktikat nuk mjaftojnë nëse lojtarët nuk angazhohen në fushë.
“Çfarëdo sistemi apo taktike që të përdorësh, nëse nuk vrapon, nëse nuk lëviz përpara dhe nuk kthehesh prapa, nuk do të fitosh”, përfundoi ai./Telegrafi/