Nga nevoja e tregut te trajnimi profesional – aftësitë në CNC hapin mundësi të reja

Nga nevoja e tregut te trajnimi profesional – aftësitë në CNC hapin mundësi të reja

Written by

in

Në episodin e radhës të podcastit “Gati për Tregun e Punës”, të ftuar ishin Ylber Gjocaj, QA Coordinator në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional “SHEHU Academy”, dhe Aleksandër Bllagiq, bashkëthemelues dhe drejtor i Gracanica Innovation Centre (GIC), të cilët folën për rëndësinë e trajnimeve profesionale, aftësimin në teknologjinë CNC dhe krijimin e më shumë mundësive për komunitetet joshumicë.

Në partneritet me projektin Matching Skills to Jobs – MSJ, SHEHU Academy dhe Gracanica Innovation Centre kanë bashkuar ekspertizën e tyre për të ofruar trajnime profesionale që lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e tregut të punës, me fokus të veçantë në përfshirjen e komuniteteve joshumicë.

Programi nuk është ndërtuar rastësisht. Para fillimit të trajnimeve, Gracanica Innovation Centre kishte analizuar nevojat e komunitetit dhe kishte identifikuar nevojën për ngritje profesionale dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë. Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi me kompanitë kishte treguar se tregut i nevojiteshin persona të aftësuar për vende konkrete të punës.

Sipas Gjocajt, pikërisht rezultatet e këtij hulumtimi kanë përcaktuar edhe drejtimin e bashkëpunimit.

“Kjo vjen si rezultat i një hulumtimi paraprak të cilin e ka bërë Gracanica Innovation Centre. Duke e analizuar mikroregionin ku kandidatët jetojnë, është vërejtur se kandidatët që vijnë nga ato zona kanë një mungesë të theksuar të kompetencave dhe shkathtësive në këtë drejtim. Andaj, Aleksandri me stafin e vet na ka propozu që do të ishte shumë e dobishme për komunitetin e tyre që ne të ofrojmë shërbimet tona, sidomos në sferën e programimit dhe operimit me makineri CNC.”

CNC, apo Computer Numerical Control, është teknologji që mundëson kontrollimin e makinerive përmes programeve kompjuterike.

Në sektorin e përpunimit të drurit, përdorimi i këtyre sistemeve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Gjocaj shpjegon se kompanitë që duan të konkurrojnë në tregun vendor, rajonal apo evropian po përdorin linja moderne të prodhimit, të udhëhequra në mënyrë numerike. Për këtë arsye, krahas investimit në teknologji, nevojiten edhe punëtorë që dinë ta programojnë dhe operojnë atë.

Për Aleksandër Bllagiq, bashkëpunimi ka nisur pikërisht nga lidhja mes dy nevojave: të rinjve që kërkojnë aftësim dhe punësim dhe kompanive që kërkojnë staf me shkathtësi profesionale. GIC ka siguruar hapësirën dhe qasjen te të rinjtë e komunitetit, ndërsa SHEHU Academy ka kontribuar në pjesën profesionale të trajnimit. Swisscontact, sipas tij, ka mundësuar lidhjen e këtyre hallkave dhe funksionimin e iniciativës.

Bllagiq thekson se organizimi i trajnimeve brenda komunitetit ka qenë veçanërisht i rëndësishëm, pasi shumë programe të aftësimit profesional zhvillohen në qytete më të mëdha, duke krijuar pengesa për pjesëmarrësit e komuniteteve joshumicë për shkak të transportit dhe gjuhës.

“Shumica e trajnimeve profesionale mbahen në qytete më të mëdha, gjë që ua vështirëson pjesëmarrjen pjesëtarëve të komunitetit tonë joshumicë, veçanërisht për shkak të pengesave gjuhësore dhe transportit. Ne e pamë këtë si një mundësi për t’ua ofruar të rinjve këtë rast dhe për ta organizuar të gjithë trajnimin brenda komunitetit të tyre.”

Programi ka ndikuar edhe në ndryshimin e perceptimit për industrinë e drurit. Gjatë vizitave në kompani, pjesëmarrësit kanë parë nga afër se sektori sot është shumë më i automatizuar dhe teknologjik sesa perceptimi tradicional për të.

Sipas Bllagiq, kjo ka ndihmuar në thyerjen e paragjykimit se industria e drurit lidhet vetëm me punën fizike dhe mjetet tradicionale. Një tjetër rezultat që ai veçon është pjesëmarrja e grave: rreth 30 për qind e pjesëmarrësve në trajnimin e parë ishin gra, duke sfiduar edhe perceptimin se ky sektor është vetëm për burrat.

Grupi i parë që ka kaluar nëpër program nuk kishte njohuri të avancuara paraprake për programimin dhe operimin me CNC. Kjo bëri që programi të përshtatej me nivelin e kandidatëve dhe të ndërtohej hap pas hapi.

Për Gjocajn, pikërisht progresi i arritur nga ky grup është një prej rezultateve më të rëndësishme të projektit.

“Për një kohë relativisht të shkurtër kemi arritur t’i aftësojmë kandidatët. Ne e kemi ditur prej ditës së parë dhe javës së parë se në çfarë niveli kanë qenë, ndërsa pas disa muajve, duke kaluar nëpër projektin tonë, kemi vërejtur një avancim të jashtëzakonshëm të të gjithë kandidatëve.”

Programi ka synuar edhe që njohuritë të mbeten brenda komunitetit. Për këtë arsye, dy prej pjesëmarrësve janë aftësuar më tej për të zhvilluar të njëjtin trajnim në të ardhmen. Kjo krijon mundësi që programi të mos përfundojë me një grup të vetëm, por që ekspertiza e fituar të vazhdojë të përcillet edhe te kandidatët e ardhshëm.

Në këtë rast, bashkëpunimi mes një institucioni të aftësimit profesional, një organizate që njeh nga afër nevojat e komunitetit dhe një projekti që mbështet zhvillimin e aftësive tregon se trajnimi profesional është më efektiv kur nis nga një nevojë konkrete dhe përfundon me aftësi që mund të përdoren drejtpërdrejt në tregun e punës.

Matching Skills to Jobs është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.

youtu.be