
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se gjendja aktuale e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po i pengon të gjitha palët, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe përparim në këtë proces.
Merz i bëri këto komente në fjalën hyrëse në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili po mbahet sot në Mal të Zi.
“Në vitin 2018, në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, ne e hodhëm poshtë bashkërisht përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit, por të ecim përpara mbi bazën e vlerave evropiane. Kjo vlen edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në gjendjen aktuale, ky proces po i pengon të gjithë. Prandaj, ne bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”, tha Merz.
Kancelari gjerman theksoi se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe ekonomikisht dinamik është thelbësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për rajonin dhe Procesin e Berlinit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali