Eksperimenti sadist në burg që i shndërroi burrat e zakonshëm në përbindësha

Eksperimenti sadist në burg që i shndërroi burrat e zakonshëm në përbindësha

Written by

in

Korridoret e sterilizuara të Netflix-it dhe narrativa e stilit të spektaklit [reality-TV] nuk mund të mbërthejnë rrezikun e simulimit origjinal të Stanfordit.

Nga: Joseph May / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Shënim për autorin: Joseph May kaloi 19 muaj në paraburgim, para se të shpallej i pafajshëm vitin e kaluar, periudhë gjatë së cilës shkroi për The Telegraph si I burgosuri sekret [The Secret Prisoner].

Eksperimenti i ri i burgut të Stanfordit [The New Stanford Prison Experiment], që transmetohet këtë javë, është përpjekja e Netflix-it për t’iu rikthyer Eksperimentit famëkeq të Burgut të Zimbardos të vitit 1971 – këtë herë me një shkallë më të lartë autenticiteti të burgut, megjithëse edhe me një dozë më të madhe të marifeteve të spektaklit

Philip Zimbardo ishte profesori i Stanfordit i cili kërkoi, përmes një njoftimi, 24 vullnetarë meshkuj për të marrë pjesë në një eksperiment simulimi burgu, në të cilin, në mënyrë të rastësishme, gjysma do të ishin roje dhe gjysma të burgosur. Rojet nuk kishin përvojë të mëparshme dhe të burgosurit nuk ishin kriminelë: askush nuk e dinte se çfarë po bënte dhe, ndoshta jo për habi, pasoi kaosi. Pavarësisht se u dokumentua në film (për qëllime studimore dhe jo për një audiencë televizive), eksperimenti origjinal i Stanfordit ende përbën një shfaqje më tërheqëse sesa ringjallja e tij nga Netflix-i.

Profesori i Stanfordit, Philip Zimbardo, drejtoi eksperimentin origjinal të simulimit të burgut, në të cilin gjysma e pjesëmarrësve ishin roje dhe gjysma të burgosur(Getty Images/San Francisco Chronicle/Hearst Newspapers)

Zimbardo, i cili e vendosi burgun e tij të improvizuar në bodrumin e fakultetit të psikologjisë ku punonte, mund të mos ketë rikrijuar asgjë që t’i ngjante burgut autentik, por çfarëdo që krijoi u dëshmua vërtet e rrezikshme për pjesëmarrësit. Unë, si ish-i burgosur, do të thosha se kishte më rrezik sesa burgu i vërtetë. Me kalimin e ditëve, të burgosurit u bënë histerikë dhe u bashkuan kundër njëri-tjetrit; disa prej rojeve (njëri në veçanti) u bënë gjithnjë e më sadistë, duke ua mohuar të burgosurve ushqimin dhe gjumin dhe duke i zhveshur lakuriq; të tjerët bënin një sy qorr. Vetëm në ditën e gjashtë të eksperimentit – që ishte parashikuar të zgjaste dy javë – Zimbardo u detyrua ta ndërpriste. Në ditën e shtatë të këtij eksperimenti të Netflix-it, paneli i penologëve që mbikëqyr spektaklin e uron njëri-tjetrin meqë e kishin kaluar pikën në të cilën Zimbardo e ndërpreu eksperimentin e tij.

Edhe gjatë eksperimentit të tij, por veçanërisht pas tij, Zimbardo u qortua nga psikologët e tjerë dhe ishte i vetëdijshëm se po e tepronte. Në një rast, madje i zhvendosi të burgosurit në një pjesë tjetër të ndërtesës për të shmangur hetimin dhe mbylljen e eksperimentit. Por, ndonëse është e dyshimtë nëse Zimbardo po kryente shkencë plotësisht të besueshme, është krejt e sigurt se ky pseudo-studim i Netflix-it nuk do t’i shqetësojë revistat serioze të psikologjisë.

Eksperimenti i ri i burgut të Stanfordit në Netflix synon të vlerësojë deri në ç’masë pushteti korrupton(Netflix)

Qëllimi i deklaruar i këtij eksperimenti të ri është – ashtu si i të vjetrit – jo aq të simulojë jetën në burg, sa të vlerësojë deri në ç’masë pushteti korrupton. Komentuesit e tij ekspertë, duke bërë një aludim ndaj politikës bashkëkohore amerikane, këmbëngulin se kjo pyetje është më urgjente se kurrë. Jo tamam e vërtetë.

Puna e Zimbardos pasqyronte një shqetësim mbizotërues në psikologjinë e pas-Luftës së Dytë Botërore përkitazi me mënyrën se si, përse ose nëse qeniet njerëzore – pa prirje në dukje keqdashëse apo kriminale – mund të shtyheshin të bënin gjëra të tmerrshme: me pak fjalë, si ia kishin dalë Hitleri dhe nazistët ta bënin popullin gjerman të vepronte sipas tekave të tyre?

Më kujtohet se gjyshërit e mi, brezi i luftës, ishin të prirë t’i konsideronin si gjermanët, ashtu edhe japonezët, në thelb më të anuar për t’iu nënshtruar autoritetit. Por, në vitet ’60 të shekullit XX, psikologët filluan të kryenin eksperimente të cilat sugjeronin se shumica e qenieve njerëzore do t’u përshtateshin situatave ku do t’u kërkohej të vepronin me mizori. Në Jejl, Stanley Milgram arriti t’i bindte amerikanët e zakonshëm t’u jepnin bashkëqytetarëve të tyre goditje elektrike, potencialisht vdekjeprurëse, nëse nuk u përgjigjeshin saktë pyetjeve. Fenomeni i bashkëpunimit me udhëzimet e figurave të pranuara të autoritetit – sado moralisht të papranueshme të ishin ato – dukej se ishte një tipar pothuajse universal njerëzor. Por, ndërsa Milgrami kishte përdorur aktorë që shtireshin për agoninë e goditjes elektrike, Zimbardo përdori njerëz të vërtetë. Si rezultat, eksperimenti i tij i doli nga kontrolli.

Gabimi në eksperimentin e Zimbardos ishte përdorimi i njerëzve të vërtetë në vend të aktorëve(Philip Zimbardo)

Studimi i Zimbardos është kopjuar edhe më parë – në spektaklin e BBC-së të vitit 2002, Eksperimenti [The Experiment]. Vëllai i Madh [Big Brother] ishte transmetuar për herë të parë vetëm dy vjet më herët dhe emisioni përdorte elemente si “rrëfimi” individual (Dhoma e Ditarit), të cilin e shohim sërish në Eksperimentin e ri të burgut të Stanfordit.

Larg nga vërtetimi i përfundimeve të Zimbardos, Eksperimenti fillimisht e zbehu dallimin mes autoritetit dhe nënshtrimit, kur të gjithë pjesëmarrësit – si rojet, ashtu edhe të burgosurit – ranë dakord të jetonin në një kolektiv vetëqeverisës. Megjithatë, në fund, në një kthesë më të errët, ata persona (formalisht të burgosurit më kundërshtues) të cilët refuzuan të ndanin detyrat kolektive, kryen më pas një puç duke u bërë roje. Nuk është për t’u habitur që Alex Haslamit dhe Steve Reicherit – psikologë britanikë që mbikëqyrën zhvillimet – iu deshën katër vjet për t’ju dhënë kuptim të gjitha gjërave në një punim akademik.

Zimbardo e vendosi burgun e tij të improvizuar në bodrumin e fakultetit të psikologjisë ku punonte(Philip Zimbardo)

Nuk kam ekspertizë si psikolog, por kam ekspertizë si i burgosur. Dhe, ndonëse kam shqetësime serioze për abuzimet me pushtetin nga policia britanike, rojet e vërteta të burgut mu dukën pothuajse pa përjashtim të arsyeshëm dhe të ndershëm, dhe mes nesh të gjithëve ekzistonte një mirëkuptim i ndërsjellë se burgu ishte njëkohësisht shtëpia jonë dhe vendi i tyre i punës – më mirë që askush të i mos trazonte ujërat.

Pra, dinamika më absurde dhe më shkatërrimtare e këtyre burgjeve televizive është kohëzgjatja. Dy javë nuk janë burg, por më shumë një lloj pakete pushimesh në një resort nën standard, nga i cili, sado e rëndë të jetë përvoja, së shpejti do të kthehesh. Largimi dyjavor e bën më të lehtë mizorinë dhe nxit prapësitë – pasojat e asnjërës nuk duhen përballuar për shumë gjatë. Burgu i vërtetë ndoshta ka të bëjë më pak me ndalimin dhe më shumë me vuajtjen e dënimit. Të një dënimi të gjatë.

Zimbardo u përpoq ta kompensonte kohën e shkurtër duke e çuar shthurjen në ekstrem. Të burgosurit detyroheshin të mbanin thasë në kokë, të ecnin të lidhur me zinxhirë dhe, në rast të një sjelljeje të pretenduar të keqe, dërgoheshin në izolim në një qeli të errët të quajtur “vrima” (një dollap kancelarie i përshtatur për këtë qëllim). Eksperimenti i tij doli se kishte ngjashmëri profetike me Guantanamon dhe Abu Grejbin, për të cilin Zimbardo u thirr në vitin 2004 për të dhënë dëshmi eksperti – në mbrojtje të rojës që po gjykohej nga një gjykatë ushtarake.

Ndryshe nga eksperimenti i shkurtër i Zimbardos, burgu i vërtetë ka të bëjë më pak me ndalimin dhe më shumë me vuajtjen e një dënimi të gjatë(Philip Zimbardo)

Pamjet, si nga burgu i simuluar i Zimbardos, ashtu edhe nga Eksperimenti i ri i burgut të Stanfordit, më sjellin ndër mend jo aq përvojën time në burg, sa përvojën time si prind: duke parë mënyrën se si civilët e rritur marrin spontanisht rolet e rojeve dhe të të burgosurve, dallon të njëjtën mënyrë se si fëmijët luajnë duke u bërë nëna dhe baballarë, mjekë dhe infermierë, kauboj dhe indianë. Por, të rriturit luajnë më rrezikshëm se fëmijët dhe, në eksperimentin e Zimbardos, rojet e kuptuan se ai donte që t’i frikësonin dhe t’i poshtëronin të burgosurit që kishin nën mbikëqyrje.

Megjithatë, asnjë nga këto eksperimente – madje as ai i Zimbardos – nuk ka mundur (për arsye të qarta ligjore dhe etike) të përfshijë tri përbërës jetikë të jetës në burg. Së pari, përdorimin e drogës dhe ekonominë e dyshimtë të frikës dhe favoreve që e rrethon atë. Së dyti, faktin shumë të qartë se burgjet e vërteta përmbajnë kriminelë, prania e të cilëve në numër të madh krijon një tension pothuajse elektrik pabesie dhe kërcënimi. Së treti, dhe më thelbësorja, është domosdoshmëria e dhunës.

Në burg më goditi me grusht – dy herë – një vrasës që kishte vrarë dikë me një goditje të vetme, në krahun ku ndodhesha; disa herë më “mbërthyen” grupe rojesh të urdhëruara t’u jepnin fund protestave të mia të pafuqishme – i vetëm, kundër shkurtimit të kohës së shëtitjes. Pata fat që nuk u lëndova rëndë, por pashë roje që u sulmuan egërsisht prej të burgosurve dhe më shumë se një të burgosur që pësoi një dëmtim që ia ndryshoi jetën (përfshirë dëmtime të rënda të trurit).

Sado e çuditshme të tingëllojë, është kërcënimi i vazhdueshëm i dhunës dhe gatishmëria e rojeve për t’u hedhur në numër të madh mbi të burgosurit, për t’i nënshtruar, ajo që vendos kufij dhe krijon njëfarë kujdesi dhe respekti të ndërsjellë në burg. Pra, në një burg të vërtetë.

E gjithë shfaqja e Zimbardos ishte pashmangshëm teatrale. Ai mori vetë një rol kryesor – drejtorin e burgut – dhe i caktoi rekuizita secilit anëtar të kastit të tij. Rojeve të tij iu dha syze aviatori me xhama pasqyrues dhe shkopinj gome, ndërsa të burgosurve kapuça çorapesh. Roja më mizore e Zimbardos, i cili më vonë u tha kamerave se po kryente eksperimentet e veta, kishte përvojë në teatër dhe më vonë u shpjegoi realizuesve të dokumentarit se syzet pasqyruese që ia kishin dhënë e frymëzuan të imitonte një gardian sadist burgu nga filmi i vitit 1967, Cool Hand Luke. Ndërsa, i burgosuri më i brishtë i Zimbardos, i cili dukej se pësoi një krizë në ditën e tretë të eksperimentit, shpjegoi më vonë se vetëm ishte shtirur sikur po çmendej sepse, ndryshe nga sa kishte pritur, pjesëmarrja në studim e kishte penguar të përgatitej për një provim që po afrohej.

Një nga rojet e Zimbardos tha se syzet pasqyruese e frymëzuan të imitonte një gardian sadist burgu(Philip Zimbardo)

Është e vërtetë se luajtja e roleve nxit sjellje të caktuara: vihet re se sa shpejt – të veshur me uniforma burgu ose me uniforma të rregullta rojesh, me jaka dhe rripa – ata që i veshin marrin instinktivisht qëndrime dhe sjellje të ndryshme. Më kujtohet se edhe unë, në burg, u bëra aktor: mësova shpejt t’i mbaja shpatullat pak më të gjera, të merrja një qëndrim prej “s’më bëhet vonë”, vetëm që të dukesha më shumë si një i burgosur që dinte të mbahej. Dhe, ndërsa gardianët mund të të trajtonin ftohtë kur kishte mbyllje ose kur shpërthente diçka e shëmtuar, shpejt mësoje se edhe uniforma e tyre ishte një fasadë – se poshtë saj ishte një njeri me të cilin mund të lidheshe përmes një shakaje ose një pyetjeje të sjellshme.

Po, Eksperimenti i ri i burgut të Stanfordit është i rremë, ndonëse ndoshta më pak se origjinali i Zimbardos. Por, edhe në burgun e vërtetë ne po luanim role. E gjithë bota është një skenë. /Telegrafi/