Aksioni kundër kontrabandës në veri, sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro

Aksioni kundër kontrabandës në veri, sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro

Written by

in

Aksioni kundër kontrabandës në veri, sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë detaje për aksionin e zhvilluar sot në veri të vendit, në kuadër të hetimeve disamujore për dyshimet për kontrabandim të mallrave nga Serbia përmes rrugëve ilegale.

Gjatë aksioneve të zhvilluara nga maji deri në shtator, përfshirë edhe aksionin e sotëm, janë sekuestruar mbi 22 automjete dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro, ndërsa 504 shpezë të gjalla pa origjinë dhe certifikatë shëndetësore janë asgjësuar për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve.

Sipas Prokurorisë, aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas hetimeve që kanë nisur në prill të këtij viti.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nisur në prill të vitit 2026, ndërsa përmes masave të veçanta hetimore janë identifikuar rrugët ilegale, personat dhe automjetet e dyshuara, si dhe lokacionet ku mallrat shkarkoheshin, depozitoheshin dhe më pas shpërndaheshin në treg.

Automjetet e përdorura për këtë veprimtari, në shumicën e rasteve, ishin modifikuar për kontrabandë, duke iu hequr ulëset e pasme. Sipas njoftimit, vozitësit, kur vërenin praninë e zyrtarëve policorë, i braktisnin automjetet dhe largoheshin nga vendi.

Mallrat e sekuestruara përfshijnë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare dhe barna pa banderola, produkte higjienike, si dhe tekstil, përfshirë veshje me marka të mbrojtura tregtare pa autorizimin apo licencën përkatëse.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë në fazën përfundimtare dhe se procedura penale po vazhdon ndaj personave të dyshuar për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Tregtia e ndaluar”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali