Vitia: Invalidët e luftës do të përfitojnë subvencionim të plotë për proteza

Vitia: Invalidët e luftës do të përfitojnë subvencionim të plotë për proteza

Written by

in

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se çdo invalid i luftës, qoftë ushtar apo civil, që paraqet kërkesë në Fondin për Sigurime Shëndetësore, do ta ketë lëndën e trajtuar dhe do të përfitojë subvencionim të plotë për proteza.

Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, ka krijuar një sistem që garanton trajtimin e kërkesave të invalidëve të luftës.

“Me shoqatat e dala nga lufta, e kemi bërë një sistem dhe tani as edhe një invalid i luftës nuk ka shansë të mos i përgjigjet ministria me subvencionim të plotë”, deklaroi Vitia.

Ai theksoi se deri në vitin 2024, mbulimi i shpenzimeve për proteza është bërë në një mënyrë që, sipas tij, nuk ka qenë plotësisht institucionale, pasi ka varur nga vendimet e qeverive për ndarjen e fondeve.

“Deri në vitin 2024, mbulimi i protezave ka ndodhur në një mënyrë pak a shumë jo institucionale, që ka qenë në vullnetin e qeverive për të ndarë apo jo fonde për t’i mbuluar shpenzimet e këtyre personave që kanë dhënë gjymtyrët për vendin tonë”, tha ministri.

Vitia u garantoi invalidëve të luftës se çdo kërkesë e paraqitur në Fondin për Sigurime Shëndetësore do të shqyrtohet, duke theksuar se sistemi i krijuar synon të sigurojë mbështetje të plotë për këtë kategori. /Telegrafi/